`Mitrovica Jazz Days` sjellë artistë me renome globale e fitues të `Grammy`
BKT
Kulturë

`Mitrovica Jazz Days` sjellë artistë me renome globale e fitues të `Grammy`

M.P / RTKlive

Si asnjëherë më parë, festivali ndërkombëtar “Mitrovica International Jazz Days” do të sjellë në qytetin e minatorëve emra të njohur botëror të skenës së muzikës jazz. Përveç përvojës së tyre në skena ndërkombëtare, artistët janë edhe fitues të çmimeve me renome siç janë “Grammy”. Mes një gërshetimi të kulturave të ndryshme duke përfshirë ukrainase, armene, hebreje e shqiptare, festivali do të nis më 28 gusht deri më 2 shtator.

Iniciatorja e këtij festivali, këngëtarja përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovision vite më parë, Rona Nishliu ka qenë e ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK. Ajo ka shpalosur programin dhe ka folur rreth përgatitjeve të festivalit.

“Ka qenë andërr e kahmotshme përkundër të gjitha vështirësive ja dolëm që të marrim konfirmimet e artistëve ndërkombëtar, të cilët padyshim kanë karriera të suksesshme. Është një lajm shumë i mirë për ne që ata do të vijnë në Mitrovicë e në Kosovë”, ka thënë për RTK-në Nishliu.

Tutje ajo ka thënë se motivi i kësaj iniciative qëndron në rrëfimet që Nishliu i ka dëgjuar për kulturën e pasur të Mitrovicës së paraluftës. E një synim tjetër i saj është decentralizimi kulturor, në kohën kur fokusi i aktiviteteve kulturore është Prishtina.

Artisti fitues i çmimeve Grammy i cili ka rrugëtuar me emrat më të famshëm të jazz muzikës botërore, Richard Bona dhe Mijd Big Band do të hapin natën e parë të festivalit. Nata e dytë pasohet me muzikë nga Ganna Ensemble, e cila gjithnjë ka pasur në fokus interpretime të këngëve të vjetra popullore ukrainase. Edhe Enrico Morello “Cyclic Signs” janë pjesë e rrugëtimit të festivalit, si një bend që përbëhet nga muzikantët më të vlerësuar të jazzit në Itali.

Nuk mungojnë as artistët vendor ku në Mitrovicë do të ngjiten Elina Duni & Rob Luft, një prej këngëtareve më të famshme të skenës së jazzit botëror, e cila gjithë rrugëtimin e saj muzikor e ka ndërtuar duke sjellë përpunime të muzikës së vjetër shqiptare.  

Karen Asatrian dhe Andrej Prozorow në piano e saksofon do të interpretojnë suitën e tyre “Një përrallë e harmonisë”, si gërshetim mes kulturës ukrainase e armene.

Nata e fundit do të rezervohet për dyshen Bill Laurance dhe Michael League, veçmas të njohur për themelimin e kolektivit të vlerësuar globalisht “Snarky Puppy”. Gjithashtu në qytetin e Ibrit do të interpretojë edhe Daphna Levy dhe Tamir Miller, e cila do të prezantojë një mix mes jazit, muzikës mesdhetare të prekur nga motive hebreje.

Përveç muzikës “Mitrovica International Jazz Days” do të ketë edhe workshope nga vet artistët performues dhe pjesëmarrës të tjerë.


MË SHUME NGA Kulturë