Kusari-Lila fajëson komunën, pasi u dogj Muzeu i Muzikës në Gjakovë
BKT
Kulturë

Kusari-Lila fajëson komunën, pasi u dogj Muzeu i Muzikës në Gjakovë

Ish-kryetarja e Komunës e Gjakovës, tash shefe e GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka fajësuar qeverisjen aktuale të kësaj komune për shkatërrimin e Muzeut të Muzikës. Sipas saj, komuna në krye me kryetarin Ardian Gjini, nuk e ka pasur interesin që ta mirëmbajë këtë muze i cili u dogj dje.

“Kush e dogji Muzeun e Muzikës, është pyetje për të cilën përgjigjen duhet ta japin organet kompetente. Por kush nuk ka pasur interesim ta mirëmbajë dhe t’a ruajë Muzeun, dihet. Komuna e Gjakovës nën qeverisjen aktuale, nuk e ka pasur as interesimin dhe as vëmendjen të merret seriozisht me këtë objekt të trashëgimisë kulturore. Ai vend pësoi degradimin total para djegies finale”, ka shkruar ajo.

Kusari-Lila ka shtuar se objekti duhet medoemos të rikthehet ashtu siç ka qenë, tē rindërtohet dhe për të të kujdeset Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Deputetja ka theksuar se përkujdesja e vazhdueshme me mundësi të mirëmbajtjes së mirëfilltë të Muzeut do të jetë sfidë gjithmonë, nëse nuk gjendet një zgjidhje e përhershme.

Dje, Muzeu i Muzikës në Gjakovë u përfshi nga zjarri, ndërsa para zjarrit objekti ishte vandalizuar tërësisht. Kryetari Gjini ka thënë se të gjitha eksponatet ishin larguar më herët nga aty.


MË SHUME NGA Kulturë