Befason Lazio, e mposht Napolin në “Diego Maradona”
BKT
Sport

Befason Lazio, e mposht Napolin në “Diego Maradona”

B. H. | RTKlive

Kampioni i Italisë, Napoli është gjunjëzuar para tifozëve të vet në stadiumin “Maradona”. Triumfues nga ky impiant ka dalë Lazio, që arriti të marrë fitore befasuese, 2:1, në kuadër të javës së tretë në Serie A.

Skuadra e Maurizio Sarrit e kishte nisur kampionatin me dy humbje, teksa sonte arriti ta shijojë fitoren e parë në edicionin e ri.

Ndërkaq për skuadrën e Amir Rrahmanit kjo ishte humbja e parë, pas dy fitoreve radhazi.

Napoli e dominoi pjesën e parë, por ishte Lazio që e gjeti golin, kur Luis Alberto çoi topin në rrjetë me gjuajtje me thembër pas asistit nga Felipe Anderson, në minutën e 30-të. Megjithatë, gëzimi i mysafirëve zgjati vetëm dy minuta, kur Napoli barazoi shifrat me golin e Zielinskit nga distanca, i ndihmuar edhe nga një devijim i mbrojtjes mysafire.

Por, Lazio riktheu epërsinë në pjesën e dytë, më saktësisht në minutën e 52-të, kur blerja e re Kamada shënoi për 2:1, që në fund doli të jetë edhe goli i fitores. Do theksuar se Lazio në pjesën e dytë shënoi edhe dy gola tjerë, por ato u anuluan me ndërhyrjen e VAR-it për pozitë jashtëloje.