Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit, momentum i pashfrytëzuar nga Kosova
BKT
Lajme

Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit, momentum i pashfrytëzuar nga Kosova

N.M. /RTKlive

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti, ka përkujtuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, më 4 Shtator 2020 në SHBA. Sipas tij, marrëveshja e nënshkruar  në Shtëpinë e Bardh është më e rëndësishmja për Kosovën, që nga shpallja e pavarësisë.

Hoti, në një postim në Facebook, thotë se përmes kësaj marrëveshje, me qeverisjen parimore dhe konsultative me miqtë ndërkombëtarë, u thye izolimi ndërkombëtar që i kishte ndodhur Kosovës në Qeverinë Haradinaj dhe Qeverinë Kurti I.

“Para arritjes së kësaj marrëveshje, është komunikuar intensivisht me partnerët për vendosjen e dialogut në agjendë të qartë, e cila çon në njohje reciproke. Kjo qasje është pranuar gjerësisht nga partnerët. Dhe, si rezultat, në verën e vitit 2020, ka nisur dialogu në Bruksel për njohje reciproke, bazuar në parimin se nuk bisedohet për territore dhe as për organizimin kushtetues të shtetit të Kosovës; nuk ka dialog teknik si në të kaluarën; nuk merremi vesh për asgjë derisa të merremi vesh për gjithçka, duke nisur nga njohja reciproke”, shkruan Hoti.

Ai thotë se duke qenë se sponsorizohej drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë dhe Presidenti Amerikan, vlerësohej se një marrëveshje ekonomike do të shtynte dy vendet më lehtë drejt marrëveshjes finale që negociohej në Bruksel.

“Marrëveshjen e Uashingtonit duhet parë si hap i madh drejt normalizimit të plotë, me njohje reciproke, mes dy vende, siç ceket në letrat e vazhdueshme të presidentëve amerikanë drejtuar Kosovës dhe Serbisë”, shkruan tutje ai.

Sipas Hotit, për Marrëveshjen e Uashingtonit janë thënë shumë të pavërteta nga opozita e atëhershme.

“Cilësimi i një marrëveshje që është arritur në Shtëpinë e Bardhë si e dëmshme dhe e rrezikshme për Kosovën ishte gabim strategjik. Pasojat po i bartin çdo ditë. Unë personalisht jam fyer e sharë nga opozita e atëhershme. Ata popullistë sot janë në Kuvend, Qeveri dhe Presidencë. Sot, është e qartë se ato epitete i meritojnë ata, jo unë...”, shkruan pos tjerash Hoti, në Facebook.

Ish-kryeministri thotë se përveç elementeve politike, marrëveshja përfshinë projekte të mëdha infrastrukturore, të cilat po të zbatoheshin do e kthenin Kosovën në nyje rrugore dhe hekurudhore në regjion dhe përtej.


MË SHUME NGA Lajme