Vendimi për librat, PDK dhe AAK: Goditja e fundit për arsimin në Kosovë
BKT
Foto: Elmina Osmani/RTK
Lajme

Vendimi për librat, PDK dhe AAK: Goditja e fundit për arsimin në Kosovë

Sh.Ç /RTKlive

Partitë opozitare PDK-ja dhe AAK-ja, pas dështimit të debatit parlamentar në konferenca të ndara për medie kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës lidhur me vendimin për blerjen e teksteve shkollore.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se vendimi i fundit i Qeverisë për librat ka qenë goditja e fundit për arsimin në Kosovë.

“Besoj që nuk ka gjë më të arsyeshme sesa sot të hapej sesioni vjeshtor për një çështje e që e prek ardhmërinë e vendit tonë dhe që prek rreth 210 mijë nxënës. Pra janë e ardhmja jonë dhe ju po e shihni që tani e tutje nuk ka asnjë gjë të vetme që kjo legjislaturë të vazhdojë punën. Janë duke e degraduar punën në çdo rrafsh”, tha ai.

Tahiri ka thënë se do të bëjnë çmos që ta rrezojnë këtë qeveri, sepse ajo krijon shpenzime në kurriz të qytetarëve dhe nuk bën asnjë punë të mirë.

 “Goditja e fundit është goditja që i dhanë arsimit, dhe ata nuk u turpëruan nga ne që nuk erdhën në seancë por u turpëruan nga prindërit e nxënësit sepse kjo ishte e tmerrshme atë që e dëgjuam në konferencë për medie. Ne do të bëjmë çmos që këtë legjislaturë ta dërgojmë në shtëpi sepse kjo legjislaturë krijon shpenzime në kurriz të qytetarëve dhe nuk bën asnjë punë të mirë”, u shpreh Tahiri.

Tahiri ka thënë se si parti do të bëjnë kallëzim penal ndaj ministres Nagavci. Ai ka bërë thirrje që edhe prindërit të ndjekin një rrugë të tillë.

Edhe shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se vendimi i MASHTI-t për librat bie ndesh me ligjin në fuqi, ku thuhet se librat janë falas për nxënësit. Ndërsa, seanca e jashtëzakonshme, sipas tij, u bojkotua nga VV-ja për ta mbuluar marren që Qeveria ka bërë me këtë vendim.


MË SHUME NGA Lajme