Rama: Gjykimi ndaj Hashim Thaçit ngre pikëpyetje mbi procesin
N.M. /RTRKlive
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se gjykimi ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Hashim Thaçi, ngre pikëpyetje mbi vetë procesin, deri sa ka shpërndarë një intervistë të ish-presidentit të Kosovës Thaçi, i cili po gjykohet aktualisht nga Gjykata Speciale në Hagë.
Rama, përmes një postimi në rrjetin social në Facebook shkruan se sa më shumë vazhdon ky gjykim ndaj tij, ngrihen edhe më shumë pikëpyetje mbi “nivelin e respektimit të parimit themelor demokratik të “procesit të drejtë”.
“...dhe me këtë intervistë të Presidentit të Republikës së Kosovës e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mikut tonë e vëllait tim Hashim Thaçi, i cili ka folur për herë të parë qysh nga dita e kyçjes në burgun e Hagës, ku po zhvillohet një gjykim që sa më shumë vazhdon, aq më shumë ngre pikëpyetje mbi nivelin e respektimit të parimit themelor demokratik të “procesit të drejtë”, ju uroj një ditë të mbarë të gjithëve ju, në Shqipëri e në Kosovë”, shkruan Rama në Facebook.























