‘Gratë Trojane – Replika’, shfaqja me produksion nga Kosova e Serbia
M.P. / RTKlive
Artpolis ka nisur bashkëkrijimin e shfaqjes “Gratë Trojane - Replika”, në Beograd me Dah Teatrin. Kjo shfaqje do të drejtohet nga regjisoret Zana Hoxha dhe Dijana Millosheviq, ndërkaq është e bazuar në dramën e Euripidit të shkruar 2000 vjet më parë, e cila adreson luftën, shpërnguljen, dhunën ndaj grave, fëmijëve dhe gjenocidin.
“Projekti i Grave Trojane synon të angazhohet me komunitetet për të trajtuar historitë e konfliktit të fundit dhe është një dëshirë nga ana e këtyre komuniteteve për të përdorur teatrin për trajtimin e çështjeve bashkëkohore”, thuhet në njoftimin e Artpolis.
Sipas njoftimit, kjo shfaqje do të jetë vazhdimësi e bashkëpunimit me këtë teatër serb, me të cilën bashkëpunojnë qe 15 vjet.
“Gratë Trojane – Replika’ është më shumë se art. Është një profeci, një dëshmi. Dhe profeti, i detyruar të përcjellë mesazhin e tij, tejkalon mënyrat e rregullta të artistit. Ky produksion do të zgjasë për një periudhë 3-vjeçare dhe do të realizohet në bashkëpunim me 15 artistë të teatrit, vallëzimit dhe muzikës nga të dy vendet”, thotë Artpolis.
























