Në Mitrovicën e Veriut situata e qetë, objektet nuk janë liruar
Valjeta Shala/RTK
Sot është dita e fundit për lirimin e objektit të komunës së Mitrovicës së Veriut, nga institucionet që funksionojnë nën sistemin e Qeverisë së Serbisë. Deri më tani objektet nuk janë liruar, ndërsa punëtorët serbë po vazhdojnë të qëndrojnë në objekte.
Ekipi i RTK-së po qëndron në Mitrovicën e Veriu dhe sipas raportimeve gjendja është e qetë.
Punëtorët që punojnë me sistemin paralel të Beogradit, thuhet se vetëm po e shikon situatën nga dritaret.
Ndryshe, sot është dita e fundit për lirimin e objektit të komunës së Mitrovicës së Veriut. Objekti që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve, aktualisht shfrytëzohet nga 4 institucione që funksionojnë si struktura paralele.
Ditë më parë në një intervistë për RTK-në, Erden Atiq ka theksuar se lirimi i këtij objekti do të ndodhë përfundimisht më 8 Shtator, pasi ishte shtyrë njëherë për dy javë.























