Krasniqi:Peticioni është e rruga e vetme për zgjedhje të reja në veri|Video
Sh.Ç/RTKlive
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se Udhëzimi Administrativ që rregullon iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave në veri të vendit, është e vetmja rrugë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Ministri Krasniqi ka theksuar se largimi i kryetarëve do të bëhet në mënyrë demokratike përmes kërkesës së qytetarëve duke mbledhur 20 mijë nënshkrime.
“Largimi i tyre mund bëhet përmes formës që është shumë demokratike. Kush mund të garantojë që serbët do të marrin pjesë në zgjedhje nëse kryetarët japin dorëheqje? Për atë është e rëndësishme të kemi vullnet të qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje”, ka thënë ministri.
Ai në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë ka deklaruar se Udhëzimi është në përputhje me Ligjin për vetëqeverisje lokale. Sipas tij, Udhëzimi Administrativ është kërkesa demokratike dhe vullnet i qytetarëve.
“Udhëzimi administrativ e ka bazën në vetëqeverisjen lokale dhe synim ka mbledhjen e 20 mijë nënshkrimeve të qytetarëve ku ata jetojnë, e më pastaj procedimin në Kuvend Komunal. Ky Udhëzim nuk është vetëm për katër komuna, por përgjithësi komunat në Republikën e Kosovës”, ka theksuar ai.
Minisgtri Krasniqi ka përsëritur se pengimin e serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje e ka bërë Beogradi. Ai ka deklaruar se udhëzimi është i bazuar në Ligjin për vetëqeverisje lokale.























