Haxhiu: Dialogu në Bruksel pa platformë e pa strategji
B. H. | RTKlive
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu duke folur për takimin e nesërm në Bruksel ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se Kosova në këto takime po shkon pa ndonjë platformë.
“Po vazhdon dialogu i udhëhequr nga qeveria Kurti pa ndonjë platformë e pa ndonjë strategji, duke u bartur nga takimi në takimin tjetër, e duke bërë gabime të njëpasnjëshme në dëm të interesave të Kosovës”, ka theksuar Haxhiu në magazinën “Lajmet e Fundit” në RTK.
Ai ka thënë se ata që dikur kërkonin që dialogu të jetë i kushtëzuar me dhjetëra pika “sot shkojnë në Bruksel takohen me Vuçiqin pa asnjë kusht dhe pa asnjë platformë në një terr të plotë informativ për qytetarët e Kosovës por edhe vetë deputetët e Kuvendit të Kosovës”.
“Kurti para se të shkonte për Bruksel jo vetëm kësaj radhe por edhe herëve të kaluara do të duhej të kishte një diskutim në Kuvendin e Kosovës për atë çfarë po dialogohet. ࣿNë Kuvend është bërë debat për dialogun por asnjëherë me iniciativë të kryeministrit”, ka shtuar Haxhiu.
Ai ka thënë se dialogu nuk i përket vetëm një personi, një kryeministri apo një qeverie, por duhet të jetë i të gjithëve, pasi sipas tij kemi të bëjmë me një shtet që ka bërë masakra në Kosovë dhe që është armik i përbetuar. Sipas Haxhiut nëse dëshirohet paqja me këtë armik, atëherë duhet një bashkërendim i të gjitha partive dhe i shoqërisë civile.























