Osmani: Heqja e masave do ta mundësojë rifillimin konstruktiv të dialogut
BKT
Lajme

Osmani: Heqja e masave do ta mundësojë rifillimin konstruktiv të dialogut

Edona Podvorica/RTK

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga SHBA-ja ka kërkuar heqjen e masave të vëna ndaj Kosovës. Sipas saj, kjo do të mundësonte rifillimin konstruktiv të dialogut.

“Jemi të përkushtuar për thellimin e marrëdhënieve me SHBA-në në nivel strategjik. Kemi nevojë për më shumë bashkëpunim politik, sikurse edhe në sferën e sigurisë për t`i mbrojtur arritjet e përbashkëta. Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës do ta mundësojë rifillimin konstruktiv të dialogut, teksa roli i SHBA-së, është përcaktues në dialog. Kosova ka ndërmarrë hapa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës dhe është e përkushtuar të punojë me aleatët, në veçanti me SHBA-në, për të adresuar sfidat e sigurisë”, theksoi Osmani.

Por, emisari i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, nuk ka dhënë sinjale që këto masa mund të hiqen këtë vit. Sipas tij, Kosova duhet të punojë që ato të paktën të hiqen në vitin 2024. Këtë qëndrim Escobar e dha në një intervistë për Evropën e Lirë. Ai foli edhe  për siç tha,  urgjencën e themelimit të Asociacionit,  duke theksuar se nuk do të jetë Republikë Serbe.  Për këtë tha se garancë është SHBA.

“Shikoni, unë mendoj se këto masa janë duke pasur ndikim në Kosovë dhe në ekonominë e Kosovës. Shpresoj që të paktën në mënyrë bilaterale, Shtetet e Bashkuara të mund të punojnë me Kosovën për të gjetur një mënyrë për t'i hequr ato masa në vitin 2024. Kështu që, ne do të vazhdojmë të punojmë me Kosovën për ta afruar me Bashkimin Evropian. Por, ne do të kishim dëshirë të shihnim një vullnet politik dhe lëvizje në atë drejtim, gjithashtu”, tha ai.

Ndërkohë presidentja Osmani në kuadër të qëndrimit në SHBA ka deklaruar se pavarësisht zhvillimeve politike dhe sigurisë në rajon, Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, dialog e partneritet derisa rolin e SHBA-së e vlerësoi vendimtar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

Osmani mori pjesë edhe në takimin e nivelit të lartë dedikuar agjendës për Gratë Paqen dhe Sigurinë (WPS), derisa në selinë e OKB-së, në emër të Republikës së Kosovës, shpalosi të arriturat dhe objektivat e Kosovës për sa i përket zbatimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.


MË SHUME NGA Lajme