Konjufca dhe Ambasadori Angili flasin për zhvillimet e fundit në vend
BKT
Foto: Kuvendi i Kosovës
Lajme

Konjufca dhe Ambasadori Angili flasin për zhvillimet e fundit në vend

V.Th. RTKlive

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, njofton Kuvendi.

Sipas njoftimit, në takim, ndër të tjera, u bisedua për marrëdhëniet dypalëshe, mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si dhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

Konjufca ka falënderuar Ambasadorin Angili për bashkëpunimin dhe i vlerësoi të shkëlqyera marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Turqisë, derisa theksoi se ato burojnë nga miqësia e kahmotshme, partneriteti strategjik dhe respekti i ndërsjellë.

Kreu i Kuvendit po ashtu ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e palëkundur që Turqia mike i ka dhënë në vazhdimësi Republikës së Kosovës në proceset e shtetndërtimit dhe anëtarësimit në institucione dhe organizata ndërkombëtare.

Kryetari Konjufca dhe Ambasadori Angili kanë ritheksuar gatishmërinë për intensifikimin e raporteve dypalëshe dhe zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.


MË SHUME NGA Lajme