Sonte në Gjilan premiera e shfaqjes me historinë e familjes Bogujevci
BKT
Kulturë

Sonte në Gjilan premiera e shfaqjes me historinë e familjes Bogujevci

M.P. / RTKlive

(E përditësuar) Në prag të premierës së shfaqjes “Kopshti i Hijeve”, në teatrin e Gjilanit është mbajtur konferenca para premierës. Të pranishëm kanë qenë kasta realizuese si dhe struktura qeverisëse lokale.

Drejtori i teatrit të qytetit, Erson Zymberi, ka thënë se kjo shfaqje është kujtim për të kaluarën e Kosovës.

“Kopshti i hijeve është një shfaqje bashkëpunuese, multimediale e zhvilluar me një ekip ndërkombëtar dhe prodhuar nga Teatri i Gjilanit. Shfaqja tregon historinë e familjes Bogujevci, fëmijët e parë që dëshmuan në një gjykatë për krimet e luftës. Kjo gjykatë i jep formë narrativës në ndryshim, duke rrëshqitur mes kohës, vendit, realitetit dhe imagjinatës. Kopshti i hijeve ekziston në skenë si një botë paralele e kujtesës dhe së ardhmes alternativ”, është shprehur Zymberi.

Kreu i Gjilanit, Alban Hyseni, ka përgëzuar punonjësit e teatrit, duke thënë se përveç premierave, Teatri i Gjilanit po përfaqësohet denjësisht me suksese ndërkombëtare.

“Në shfaqjen ‘Kopshti i Hijeve’ tregohet një histori e veçantë e cila ka të bëjë me familjen Bogujevci, por që është imazh i luftës e i përpjekjeve tona shekullore për liri e pavarësi”, ka thënë kryetari Hyseni.

Sonte në Gjilan do të jipet premiera e shfaqjes "Kopshti i Hijeve", e cila do të vjen në skenë si rrëfim teatror i historisë së vrasjes së familjes Bogujevci.

Historia ku mbetën të vrarë 14 anëtarë nga forcat serbe, ndërkaq mbijetoi Saranda Bogujevci duke i bërë ballë 16 plumbave, ka tërhequr vëmendjen e dramaturges britanike Sara Hehir, e cila kishte nisur muaj më pare me procesin e përgatitjesë së shfaqjes.

“Në Teatrin e Gjilanit, sonte në një dimenision tjetër do të tregohet historia e familjes Bogujevci, fëmijët e parë që dëshmuan në një gjykatë për krime lufte”, njofton Ministria e Kulturës.

Familja Bogujevci u vra, katër ditë pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, në Podujevë, më 28 mars 1999 nga pjesëtarët e një njësie paraushtarake serbe të njohur si “Akrepat”. Viktima më e re ishte dy vjeçe.

 


MË SHUME NGA Kulturë