Lajçak: I nevojshëm normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë
A.B/RTKlive
E ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe rëndësia dhe roli i NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin e Malit të Zi do të jetë në fokus të Forumit të 13-të të Sigurisë 2BS, i cili fillon sot në Budva, i organizuar nga Aleanca Atlantike e Malit të Zi.
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialog Miroslav Lajçak, tha se është i nevojshëm normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se nuk ka të ardhme normale për dy vendet pa normalizimin e marrëdhënieve, gjë që duhet të arrihet me dialog.
"Kosova dhe Serbia kanë një ndikim të madh në vendet e Ballkanit Perëndimor. Presidentët e vendeve të Ballkanit Perëndimor me të cilët fola në Nju Jork shprehën shqetësimin për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës," tha Lajçak.
Ai tha se Bashkimi Evropian është i përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor dhe se vendet e Ballkanit duhet ta marrin seriozisht momentin aktual.























