Në teatrin "Adriana" në Ferizaj u dha premiera e shfaqjes së Arta Arifit
Driton Ramadani / RTK
Në teatrin "Adriana" në Ferizaj u dha premiera e shfaqjes "Hana po fluturon" e autores Arta Arifi e me regji të Iliriana Arifit. Në këtë shfaqje trajtohen vuajtjet nga lufta e fundit e Kosovës.
Protesta për mosrrëzimin e murit të oborrit të shtëpisë për ndërtimin e spitalit, ngase rrënimi i murit për personazhet Anita dhe Belina do të risjellte në kujtesë vuajtjet e tyre të ndodhura gjatë kohës së luftës; si dhunimi, vrasjet, e sidomos të fëmijëve, ishte tema e shfaqjes "Hana po fluturon" të autores Arta Arifi në regji të Iliriana Arifit, të interpretuar nga aktorët e teatrit "Adriana" në Ferizaj.
Aktoret kryesore të shfaqjes thanë se interpretimi i roleve me trajtimin e tema të tilla është shumë i vështirë dhe emocionues.
“Ka qenë një proces interesant e i vështirë për shkak tematikës që ka. Sigurisht për neve që e kemi përjetuar luftën është edhe më e rëndë për shkak se normalisht që kthehesh në atë kohë kur ke përjetuar gjithçka dhe mosha ka qenë shumë e vogël. Mosha ka qenë e njëjtë me personazhin e Hanës 12 vjeçe ”, thotë Dardane Mehmeti – aktore.
“Po si aktore kisha emocione të përziera. Jam e lumtur që u realizua por në të njëjtën kohë pata një moment kur e përfundova skenën dhe dola mbrapa skenës dhe qava sepse në role të tilla hynë krejt brenda. Unë kam qenë e re në kohë të luftës por e mbajë mend”, shprehet Edona Bekteshi – aktore.
Në anën tjetër, regjisorja e shfaqjes shpreson se mesazhi të jete përçuar që të bëhet me shumë për të pagjeturit dhe të inkurajohen të gjitha ato viktimat që kanë qenë të përdhunuara të gjejnë forcën të flasin dhe që shoqëria të mos i paragjykojë.
“Publiku e mirëpriti shumë shfaqjen. Publiku e ndjeu shfaqjen dhe krejt ajo që mua më bënë që të ndihem mirë është që kur publiku e ndijën atë që kam dashur ta plasojë, mendoj se mesazhi u morë dhe shfaqja shkoi mrekullisht mirë”, tha Iliriana Arifi - regjisore.
Shfaqja "Hana Po fluturon" do të jetë në repertorin e rregullt në Teatrin "Adriana" në Ferizaj.























