Osmani e homologu kroat do të diskutojnë për ngjarjet në veri të Kosovës
A.B/RTKlive
Presidentja Osmani të martën në Kroaci do të takohet me liderët e Kroacisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit Zoran Milanoviq gjatë vizitës zyrtare në Kroaci, do të ketë disa takime të nivelit të lartë.
Zyra e presidencës kroate njofton se Presidenti Milanoviq dhe presidentja Osmani do të diskutojnë për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës, situatën politike dhe të sigurisë në Evropën Juglindore, ngjarjet aktuale në veri të Kosovës dhe perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore, raporton RTKlive.
“Kroacia mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë mbështetjen për dhënien e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Presidenti Milanoviç tashmë u ka bërë thirrje publikisht anëtarëve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë. Dhe në fjalimin e tij të fundit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, presidenti Milanoviç theksoi se Kroacia mbron njohjen universale të Republikës së Kosovës dhe të drejtën e saj për të ekzistuar si anëtare e barabartë e bashkësisë së kombeve”, njofton presidenca kroate.























