Osmani: Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist ndaj Kosovës
SH.Ç/RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse, për siç e ka quajtur ajo, sulmin terrorist në Kosovë, në një takim me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
“Presidentja Osmani ka theksuar se më 24 shtator, në Banjskë, Serbia ka kryer sulm terrorist dhe akt agresioni ndaj Kosovës me qëllim të aneksimit të veriut të Kosovës dhe destabilizimit të tërë rajonit. Prandaj, në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për aktin e saj të agresionit kundër Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, presidentja Osmani ka theksuar se në mënyrë që paqja të jetë e mundur në rajon, Serbia duhet t’i tërheq trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën, ngase përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin.
“Për më tepër, ajo ka diskutuar me kryeministrin kroat edhe për provat e mbledhura nga policia e Kosovës që e lidhin drejtpërdrejt Serbinë me këtë sulm si dhe për bashkëpunimin e institucioneve të sigurisë me aleatët tanë në mënyrë që të parandalohet agjenda destabilizuese e Serbisë”, theksohet në njoftim.
Në këtë takim, ndër të tjera, Presidentja Osmani ka falënderuar kryeministrin Plenkoviq për kontributin e ushtarëve kroatë në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe bashkëpunimin bilateral ne fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Kroacisë teksa kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka prioritet shtetëror anëtarësimin në NATO edhe për shkak të sfidave të sigurisë me të cilat ballafaqohet rajoni ynë, ndërkaq potencoi edhe rëndësinë e avancimit me anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës e në Bashkimin Evropian si dhe organizma të tjerë ndërkombëtar.
Osmani po qëndron në Kroaci për një vizitë dyditore. Ajo paradite u takua edhe me presidentin Zoran Milanoviq.
Presidentja Osmani u prit në takim nga kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandrokoviq

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës zyrtare në Kroaci, është takuar me kryetarin e Parlamentit kroat, Gordan Jandrokoviq.
Presidentja Osmani e njoftoi kryetarin e parlamentit kroat lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë duke vlerësuar lart unitetin e treguar nga Kuvendi i Kosovës në përballjen me agresionin e Serbisë.
“Sa i përket sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet nga komunitetit ndërkombëtar për këto veprime”, theksoi Osmani, thuhet në njoftim.
Presidentja Osmani ka theksuar domosdoshmërinë e tërheqjes së trupave ushtarake serbe nga kufiri me Kosovën dhe në këtë kontekst, ka falënderuar NATO-n për dërgimin e trupave shtesë me qëllim të rritjes së sigurisë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi.
Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka nevojë për mbështetje në këto momente të vështira, ndaj ka theksuar se Kosova llogaritë në përkrahjen e vazhdueshme të Kroacisë në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Bashkimit Evropian, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare si dhe në ballafaqimin me sfida të sigurisë.























