Krasniqi fton deputetët ta votojnë rezolutën për Policinë
BKT
Lajme

Krasniqi fton deputetët ta votojnë rezolutën për Policinë

E. Hoti / RTKlive

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka ftuar deputetët e Kuvendit të votojnë të enjten  rezolutën për të mbështetur Policinë e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë kërkesë për këtë draft-rezolutë por ajo nuk është mbështetur nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes javën e kaluar.

“Javën e kaluar, si Grup Parlamentar i PDK-së, kërkuam unitet që ta votojmë rezolutën për të mbështetur konkretisht Policinë e Kosovës. Grupet Parlamentare të LDK-së dhe AAK-së e mbështetën këtë propozim tonin, ndërsa Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes e kundërshtoi”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Krasniqi ka theksuar se duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në vend, mbështetja e Policisë duhet të jetë prioritet shtetëror.

“Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në vend, posaçërisht pas 24 shtatorit, PDK konsideron se forcimi dhe mbështetja e Policisë duhet të jetë prioritet shtetëror – andaj nuk mund ta pranojmë këtë qasje neglizhuese të pushtetit dhe të qëndrojmë duarkryq”,  ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, policët meritojnë shtesat për rrezikshmërinë, sigurimin shëndetësor dhe miratimin e Ligjit për pensionim të parakohshëm.

“I ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që nesër, me votën e tyre, të dëshmojnë se e mbështesin dhe janë me Policinë e Kosovës – sepse vetëm fjalët dhe postimet në rrjetet sociale nuk mjaftojnë!”, ka shkruar tutje Krasniqi.


MË SHUME NGA Lajme