Rizvanolli: Po punohet në zgjidhjen e çështjeve të policisë
M.P/RTKlive
(E përditësuar 10:35) Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke folur për seancën e jashtëzakonshme, të thirrur sot në Kuvendin e Kosovës për kushtet e Policisë së Kosovës, e ka vlerësuar atë si të pakuptimtë..
“Ka pasur një seancë të ngjashme ku kryeministri, ministrat përkatës, deputetët kanë sqaruar pozicionet e tyre për t’i zgjidhur këto çështje. Është e pakuptimtë ky diskutim të vazhdoj. Për secilën nga këto çështje po punohet në zgjidhje, mund të mos jenë ato që po i kërkon opozita për shembull sigurimi shëndetësor nuk jemi të interesuar që ai të merret nga sektori privat”, ka thënë Rizvanolli.
Tutje ka përmendur edhe shtesat e rrezikshmërisë, duke thënë se Ministrja e Ekonomisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme po punojnë ngusht për këtë dhe minsitrë përkatëse do të njoftojnë publikun.
Rizvanolli: Parku i Teknologjisë “Tech Park Prishtina”, mundësi për biznese
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në deklarimin pas mbledhjes së Qeverisë ka paralajmëruar ceremoninë e inuagurimit të Parkut të Teknologjisë “Tech Park Prishtina” në Bërnicë.
Rizvanolli ka thënë se me këtë inuagurim do të plotësohet një kërkesë e kahmotshme e teknologjisë në vend.
“Parku teknologjik i pari i tillë në Kosovë do të jetë mundësi për biznese ‘start up’ por edhe për biznese më të zhvilluara, po flasim për dhjetëra biznese që do të vendosen aty në fushën e teknologjisë”, ka thënë ajo.
Për këtë park Ministria e Ekonomisë ka ndarë afër 1.2 milionë euro për krijimin dhe funksionalizimin e tij, kurse Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë i ka dhënë Shoqatës për teknologji Informative dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK) hapësirën në shfrytëzim për 5 vite, për inovacion dhe ndërmarrësi.























