Kryeshefi i `Termokos`-it: Kemi zgjeruar rrjetin, ofrojmë shërbime cilësore
Emine Hoti | RTKlive
Ngrohtorja e kryeqytetit “Termokos“ që nga e diela ka nisur me sezonin dimëror të ngrohjes. Fisnik Osmani, kryeshef ekzekutiv i kësaj kompanie tha në “Info Plus” në RTK se më 15 tetor kanë filluar sezonin e ri 2023-2024, derisa e vlerësoi shumë të suksesshëm sezonin e kaluar.
“Kemi filluar të dielën me ofrimin e shërbimeve të ngrohjes, natyrisht tek sot kemi rënie më të ndjeshme të temperaturave, mirëpo këto dy ditë kemi stabilizuar rrjetin dhe po ofrojmë shërbime cilësore në Prishtinë. Ka disa lagje që ende nuk e kemi rritur ngarkesën termike, mirëpo besoj brenda pak ditësh do të ketë stabilitet në të gjithë qytetin”, ka deklaruar Osmani.
Ai ka thënë se për shkak të punimeve të cilat janë bërë gjatë periudhës së fundit, sezoni në të cilën kanë hyrë do të jetë sfidues, pasi është zgjeruar rrjeti i ngrohjes dhe si rrjedhojë do të ketë më shumë qytetarë që do të presin dhe do të marrin shërbimet nga ‘Termokos’-i, por se nuk parasheh probleme sa i përket furnizimit të rregullt me ngrohje.
Osmani tha se zgjerimit të rrjetit i ka paraprirë një kalkulim hidraulik dhe termik profesional në bazë të konsulencës së bashkëpunëtorëve ndërkombëtarë.
“Pra, nuk po flasim për zgjerim të pamenduar mirë, por për zgjerim në bazë të kapacitetit aktual që e ka ngrohtorja në bazë të projektit të kogjenerimit me 140 megavat termik. Kemi edhe një sasi të energjisë, e cila na mundëson zgjerimin e mëtejmë të rrjetit dhe jemi në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Prishtinës që të shohim mundësitë ndihmëse në aspektin financiar, që këtë zgjerim ta vazhdojmë edhe vitin e ardhshëm”, ka theksuar Osmani.
Ai sqaroi se janë në përfundim të një projekti jashtëzakonisht të rëndësishëm i cili ka të bëjë me zgjerimin, rehabilitimin dhe densifikimin e rrjetit të ngrohtores së qytetit.
“Në kuadër të zgjerimit nënkuptojmë lagje në të cilat nuk kemi pasur shtrirje më herët, por e kemi bërë këtë për herë të parë. Po flasim për lagjen Arbëria, për lagjen te parku i qytetit dhe për rrugën Muharrem Fejza, që e ka shtuar numrin e konsumatorëve”, tha Osmani.
Përveç kësaj, ai tha se kanë bërë zgjerim të rrjetit edhe në disa pjesë të qytetit.
“Pra numri i konsumatorëve është rritur ndjeshëm. Nëse i kthejmë në numra janë mbi 8 mijë e 900 njësi të reja të banimit në sektorin afarist dhe banesor. E nëse e përkthejmë në numër të qytetarëve që do të përfitojnë për herë të parë furnizimin me ngrohje po flasim për shifrën prej 40 mijë qytetarësh”, nënvizoi kryeshefi i "Termokos"-it.























