Vdes një person në Deçan nga vetaksidenti
F.Sertolli / RTKlive
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka konfirmuar për RTK-në se pasditen e së martës në Lëbushë të Deçanit ka ndodhur një vetaksident me pasoja fatale. Ai ka bërë të ditur se si pasojë e këtij vetaksidenti, njëri nga të lënduarit nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe e ka humbur jetën.
Gashi tha se në veturën e vetaksidentuar kanë qenë katër persona.
“Në orën 17:17 është pranuar informata për një vetaksident trafiku në fshatin Lëbushë të Deçanit. Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka hasur në katër persona të lënduar të cilët ndodheshin në një veturë”, tha ai.
“Të lënduarit menjëherë janë transportuar drejt Spitalit Rajonal në Pejë, ku më pas është konfirmuar se njëri nga ta ka vdekur, ndërsa tre të tjerët po trajtohen në kujdesin intensiv”, ka deklaruar Gashi, duke shtuar se sipas mjekut kujdestar tre personat e lënduar janë jashtë rrezikut për jetë.
Gashi tha se policia e trafikut është duke u marrë me hetimin e plotë të këtij rasti.























