Mosdekretimi i Kryeprokurorit, Krasniqi: Presidentja bëri atë që tha Kurti
Shqipe Gashi/ RTKlive
(E plotësuar) Lidhur me mosdekretimin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit nga presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se ky vendim është konfirmim i asaj që ka thënë kryeministri Kurti në Kuvend të Kosovës.
Sipas Krasniqit, Kryeministri kishte thënë se prokurori Blerim Jusufaj nuk do të bëhet Kryeprokuror Shteti.
“Neve, dje, Presidentja na ka konfirmuar atë se çfarë e ka deklaruar kryeministri para disa muajve në Kuvendin e Kosovës, që kurrë sa të jem unë kryeministër ky njeri nuk bëhet kryeprokuror dhe ky është konfirmim”, tha Krasniqi për ‘RTK Prime’.
Ai, mes tjerash, vuri në dukje se kjo është hera e parë që ndodhë në histori të Kosovës dhe shtoi se PDK dje menjëherë pas këtij veprimi, ka mbledhur ekspertët, për t’u shqyrtuar nëse një gjë e tillë duhet të ketë përgjigjeje e adresimit në gjykatën kushtetuese ose jo.
“Unë besoj që një përgjigje të tillë ne do ta japim shumë shpejtë, por ajo që mund të them me bindje është se presidentja tashmë e ka shkelur Kushtetutën”, deklaroi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Ajo që unë e kam parë shumë problematike tek deklarata e presidentit Makron më shumë sesa konfuzioni: a janë suspenduar vizat apo jo, është fakti se Makron, në njëfarë forme i quajti të pabesë udhëheqësit e Kosovës”, tha Krasniqi, teksa shtoi se fjalia e tij ishte pala ndërkombëtare po mban fjalën pro janë këta që nuk po e mbajnë fjalën, duke aluduar në përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë.
“Në marrëdhëniet ndërkombëtare, përfaqësuesit e shtetit, në mënyrë të veçantë nuk do të duhej të shihen ashtu sidomos nga partnerët e rëndësishëm dhe nga vendimmarrësit kryesor në BE”, tha, mes tjerash, Krasniqi.
Krasniqi kërkon nga BE-ja një qartësim për ngjarjet e 24 shtatorit
E lidhur me heqjen e masave ndaj Kosovës pas deklaratës së presidentit Makron, Krasniqi tha se pas ngjarjes së 24 shtatorit asgjë më nuk është e njëjtë.
“Ne nuk mund të kërkojmë që të kthehemi në normalitetin e para 24 shtatorit pa e adresuar përgjegjësin që e ka shteti serb dhe zyrtarët udhëheqës të atij shteti, duke filluar nga presidenti Vuçiq e tutje në këtë sulm terroristë ndaj Kosovës, sepse kjo ka qenë një tendencë e agresionit ndaj vendit tonë”, tha Krasniqi, derisa u shpreh skeptik nëse do të ketë një lëvizje përpara, por, shtoi ai, do të ishte shumë e rëndësishme që të ketë, të paktën një qartësim të BE-së në raport me Kosovën dhe Serbinë për fazën e ardhshme.
Samiti në Shqipëri, Krasniqi: Shqipëria është epiqendra e Ballkanit Perëndimor
Ndërkaq lidhur me samitin në Shqipëri, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi u shpreh se është shumë pozitive që po e shohim Shqipërinë dhe kryeministrin Rama si një lider, jo vetëm të respektuar, por edhe si një bosht të Ballkanit Perëndimor.
Ai, mes tjerash, shtoi se Serbia dhe presidenti Vuçiq për shumë vite ka garuar që ta ketë këtë rol.
“Ajo që Kosova duhet ta shohë si pjesën ma pozitive është që Shqipëria është epiqendra e Ballkanit Perëndimor, me vet faktin që BE i beson kaq shumë duke mbajtur mbledhjen e Këshillit para një periudhe, e tash edhe Samitin e Berlinit tregon që ekziston një interesim dhe një angazhim i BE-së, për sa i përket çuarjes përpara të procesit integrues dhe është shumë me rendësi që tashmë ‘Ballkani i Hapur’ nuk është temë, ashtu qysh kemi kërkuar ne të gjithë”, deklaroi Krasniqi, ndërsa theksoi se “Procesi i Berlinit” është shumë i rëndësishëm dhe shprehu besimin në produktivitetin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, sepse, shtoi ai, ato realisht u ndihmojnë qytetarëve të Kosovës.
Ai shtoi se mesazhet që ishin aty për Kosovën duhet të merren me seriozitet.
Ndërsa për sulmin e 24 shtatorit, për Policinë e Kosovës, kreu u PDK-së, Memli Krasniqi, tha se ajo që u pa në rrezikimin më të madh që na ndodhi si vend pas çlirimit u pa që Policia e Kosovës në mënyrën më profesional arriti që ta fitojë atë betejë, por edhe të menaxhojë situatën pa pasur dëme më të mëdha,
“Në momentin që ti ke një qeveri, e cila për nja 10 vjet ka kritikuar, e ka sulmuar gjithçka që është arritur në këtë vend dhe, për ironi të fatit, edhe ministri i Brendshëm është ai që i gjuante me tulla, këta policë janë të njëjtit që e kanë sharë me termet më të ulëta Policinë e Kosovës”, tha Krasniqi, derisa shtoi se duhet të sqarojë nëse ka ndryshuar qasjen dhe bindjet ndaj që kanë pasur të gabueshme apo kanë qenë mashtrues dhe nëse kanë vepruar qëllimisht.
Ai, më tej tha se është e ditur fakti se Policia e Kosovës është policia më e ndershme në rajon që vërtet i ka standardet më të larta, ndoshta edhe se disa shtete të BE-së.
“Kjo është arsyeja që kërkuam një rezolutë në mbështetjen e Policisë së Kosovës, pra ne kërkuam tri çështje: një, që na kanë refuzuar aktivisht Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri, Ligji për Pensionim të parakohshëm, dhe sepse po plaket policia jonë, mosha mesatare po rritet; dy sigurimet shëndetësore dhe tre, që të marrin shtesat e rrezikshmërisë”, vuri në dukje, Krasniqi, derisa sqaroi arsyen se pse pushteti po e refuzon këtë kërkesë të PDK-së.
“Kjo s’po kalon për shkak të refuzimit të qeverisë dhe LVV se ne e kemi diskutuar fillimisht nga përfaqësuesit tanë, nga nën kryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj dhe nga shefi i Grupit Parlamentarë, Abelard Tahiri, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit nuk ka pasur vullnet për të sjellë në seancë”, deklaroi Krasniqi derisa shtoi se “pas diskutimeve me shefat e grupeve; kemi propozuar një mocion dhe e kanë refuzuar; kemi ftuar seancë të jashtëzakonshme, ata nuk kanë ardhur”.























