S’ka kuorum, nuk votohet projekt-rezoluta për policinë|Video
B. H. & M. M. / RTKlive
(E plotësuar) Në mungesë të kuorumit nuk vendoset për votim propozimi për rezolutë nga Grupi Parlamentar i PDK-së, për mbështetje urgjente financiare të Policisë së Kosovës.
Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci bëri të ditur se në sallë janë të pranishëm vetëm 28 deputetë. Ajo theksoi se kjo pikë do të vendoset në seancën e radhës.
Seanca u bojkotua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Opozita kritikon pushtetin për mungesë në seancën për Policinë
(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme, në të cilën po shqyrtohet propozim-Rezoluta e iniciuar nga PDK për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.
Hisen Berisha, deputet nga radhët e PDK-së u shpreh krenar për Policinë e Kosovës, që bën sigurimin e rendit ligjor në vend.
“Çdo zhvillim operativ e luftarak e do një analizë pas veprimit, përmes të cilës do të identifikoheshin zbrazëtirat dhe do të nxirreshin mësimet nga pësimet, duke u përgjigjur në pyetjet analitike: çka ishte planifikuar të bëhet, si dhe sa u planifikua a u implementuan, çfarë mbeti pa u realizuar etj.”, tha Hiseni, derisa foli edhe analizën e sigurisë për analizë për kapacitete, siç tha ai, kapacietet ekzistuese, të cilat duhen plotësuar në bazë të ligjit dhe Kushtetutës.
“Rrethanat aktuale në Kosovë dhe pretendimet e hapura të Serbisë, duke mbajtur aktive njësitë e armatosura në veri të vendit, por edhe operacionet që tashmë ndodhin në anën lindore të vendit, ndaj komunitetit shqiptar në Kosovën Lindore, Medvegjë, Bujanovc e Preshevë, e imponon një rishikim të tillë”, tha mes tjerash, deputeti Hisen Berisha.
Ndërkaq deputeti nga LDK, Anton Çuni, u shpreh kritik ndaj partisë në pushtet, ngase, sikundër tha ai, mungon në seancë e që, “verbalisht ishin në përkrahje të pakufishme ndaj Policisë së Kosovës, por që sot nuk shprehën gatishmërinë që edhe nga opozita të dëgjojnë mendime, kërkesa, këshilla, se si të përmbushen nevojat e Policisë së Kosovës.
E deputeti nga radhët e AAK-së, Bekë Berisha, tha se kjo situatë e tanishme e Policisë së Kosovës do të ishte rregulluar, sikur të ishte trajtuar me Ligjin për Paga.
Ai deklaroi se e mbështetë rezolutën e përgatitur nga PDK për Policinë e Kosovës.
Qalaj: Qeveritë janë ndërruar, por kurrë pagesa për rrezikshmëri
Deputeti Qalaj tha se që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Paga, kemi folur për sfidat dhe problemet e njëjta me të cilat ballafaqohet polici i Kosovës sot.
Ai rikujtoi se është amandamentuar në Ligjin për paga për temat që po fliten sot e që nuk janë votuar nga deputetët që nuk janë as sot këtu në seancë, nga këta, që, siç u shpreh ai, Policinë e Kosovës e kanë parë më së paku të Kosovës.
Ai kritikoi partinë në pushtet që krenohej se ua kanë rritur pagat Policisë së Kosovës, në vlerë prej 12 eurosh.
“Prej se është shpallur pavarësia e Kosovës e deri më tani, kurrë nuk ka ndodhur që policëve t’u ndërpritet pagesa për rrezikshmëri. Qeveritë janë ndërruar, por kurrë pagesa për rrezikshmëri”, tha deputeti Qalaj, teksa shtoi se Policia e Kosovës ka funksionuar gjithmonë njëjtë, profesionale dhe e disiplinuar.
“Ajo ka realizuar aksione të rrezikshme jo vetëm në veri, por edhe në pjesë të tjera të vendit, shumë të rrezikshme në mes të Prishtinës, duke mbrojtur nga kallja edhe këtë tempull të demokracisë që jemi sot këtu; duke mbrojtur ndërtesën e qeverisë nga kallja; duke mbrojtur kolegjin e tyre nga kallja me benzinë; duke mbrojtur pajisjet e policisë, autoblindat nga kallja nga koktelët e mollotovit, duke mbrojtur këtë shtet në tërësi”, deklaroi Qalaj.
Ai më tej kujtoi policet e vrarë në krye të detyrë, 23 prej tyre, dhe 2 nga ta nga Njësia Speciale.
Qalaj më tej vuri në dukje se Policia e Kosovës nuk ka ndodhur deri më tani të ankohen për mungesë të këpucëve, të çizmeve, të uniformave, të pajisjeve, të jelekëve anti-plumb etj.
“Në seancën kur diskutonim për projekt ligjin për pensionim të parakohshëm, deputeti nga radhët e LVV-së pati thënë se jo q nuk ka shanse për pensionim të parakohshëm, por shikojmë të reformojmë skemat pensionale”, vuri në dukje Qalaj.
Ai rikujtoi se asnjëherë nuk ka ndodhur që Policia e Kosovës të marrë donacione nga shtet përreth, derisa shtoi se ajo ka qenë larg më e pajisur se policitë e vendeve të rajonit.
Kurse shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri tha se po bëhen dy javë që po diskutojmë një rezolutë të PDK-së që është në mbështetje të kërkesave të Policisë së Kosovës.
Tahiri kritikoi partinë në pushtet në, siç u shpreh ai, tradhtinë e qytetarëve në këtë formë.
Ai mes tjerash shtroi pyetjen se cila është arsyeja e mospagimit të rrezikshëmrisë së Policisë së Kosovës.
“Ka një vit që policët e Kosovës janë duke u ballafaquar me kriminelët e Radojçiqit dhe të Vuçiqit”, tha Tahiri.
Deliu: Njësiti Policor 'FIT' po shqyrton largimin nga Policia e Kosovës
Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, bëri të ditur se Njësia Speciale Intervenuese e njohur si ‘FIT’ është duke shqyrtuar mundësinë e largimit të përkohshëm nga Policia e Kosovës, për shkak të pakënaqësive me qeverinë në raport me kërkesat të cilat ata i kanë pasur e të cilat nuk janë plotësuar.
Ajo rikujtoi se pjesëtarë të kësaj njësie kanë marrë pjesë në zmbrapsjen e paramilitarëve serbë më 24 shtator n Banjskë të Zveçanit dhe, shtoi ajo, të njëjtit sot po e shqyrtojnë mundësin që të largohen prej Policisë së Kosovës.
Tutje, deputetja Deliu bëri të ditur se po kjo njësi ka refuzuar pjesëmarrjen në “Darkën e Lames”, të organizuar nga presidentja Osmani, mbrëmë, në kazermën “Enver Zymberi”.
“Darka e Lames e shtruar prej presidentes në kazermën “Enver Zymberi” për Policinë e Kosovës, shpërfaqi edhe një herë mentalitetin e këtij pushteti karshi kategorive më specifike, më të ndjeshme në vendin tonë, për Policinë e Kosovës”, tha deputetja Deliu.
Abazi: Pushteti për të satën herë e saboton veten
Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi tha se deputetët e partisë në pushtet për të satën herë e saboton veten.
“Kjo në demokracinë parlamentare është një vet-goditje, vet-rrëzim dhe dorëzim para vetvetes”, deklaroi Abazi, derisa shtoi se edhe nëse është e vërtetë se është duke u përgatitur një paketë ligjore për pagesën e rrezikshmërisë, sigurimin jetësor dhe atë shëndetësorë për policët, kjo nuk është metoda e duhur, sepse, shtoi ai, është metodë e ulët, “kur qe tre vjet pas një parti opozitare, që nëse doni quajeni të korruptuar, të kriminalizuar, por guximi për t’i ikur prej demokracisë nuk mundet ta ketë kurrkush.
Ai kritikoi partinë në pushtet që kur vjen puna për fotografi në FB dhe në fjalime mortore, për policë të vrarë, dalin në mbështetje të Policisë, por mungojnë në debat përmbajtësor për përmirësimin e kushteve të punës së tyre.
“Pyetje fundamentale është nëse Mimoza Kusari është duke bërë ndonjë koordinimi të radhës me Radojçiqin”, deklaroi mes tjerash, Abazi.
Haliti: Shqetësimet e opozitës për plotësimin e kërkesave të Policisë, janë me vend
Deputeti nga LDK, Avdulla Hoti, u shpreh kritik për mungesën e partisë në pushtet në seancë, duke thënë se kjo jep një pasqyrë jo të mirë për jetën parlamentare në vend, ngase sikundër tha ai, kjo nuk ka kuptim në ballafaqimin parlamentar.
Rezoluta që është prezantuar nga opozita është shumë parimore në tri çështje bazike: shtesat e rrezikshmërisë, që nuk po paguhen nga muaji shkurt e deri më tani; sigurimi i jetës, si dhe ligji për pensionimin e parakohshëm. Tri kërkesa shumë të arsyeshme dhe shumë parimore”, tha mes tjerash deputeti Hoti.
Ndërsa deputetja nga AAK, Time Kadrijaj u shpreh kritike ndaj partisë në pushtet për mungesë në seancën parlamentare.
“Kur është në pyetje shteti i atdheu, populli shqiptar ka ditur të mobilizohet, sepse qëllimi ka qenë madhor”, deklaroi Kadrijaj.
Kurse deputeti nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, tha se Policia e Kosovës është institucion shtetëror që punon në bazë të ligjit dhe Kushtetutës, derisa u shpreh se shqetësimet e deputetëve në përmbushjen e kërkesave të Policisë janë me vend.
Ndërkaq deputeti i pavarur, Fatmir Humolli, tha se gjatë fushatës elektorale kemi premtuar në përmbushjen e kërkesave për Policinë e Kosovë, për FSK-në,se do të punojmë për interes të vendit tonë.
“Sot po shoh një diçka që është njëlloj grusht-shteti kundër institucioneve të Kosovës, për shkak të mosrespektimit të Kuvendit nga shumica”, tha Humolli.
PDK paraqet draft-Rezolutën për mbështetjen e Policisë së Kosovës
Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme, në të cilën po shqyrtohet propozim-Rezoluta e iniciuar nga PDK për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.
Deputetët e pushtetit e kanë bojkotuar këtë seancë, derisa të pranishëm janë numër i vogël i deputetëve.
Kryetatari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se janë dashur disa konsultime në mënyrë që të vendoset për mbajtjen e kësaj seance. “Pas disa përfundimeve në mbledhje të Kryesisë vendosëm që të mbahet kjo mbledhje e jashtëzakonshme”, tha ai.
Gjatë kësaj seance, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, në emër të 40 deputetëve nënshkrues paraqiti draft-Rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.
Përmes kësaj rezolute kërkohet që Kuvendi të obligojë Qeverinë e Kosovës që brenda afatit prej 15 ditësh nga miratimi i kësaj rezolute të bëjë ndarjen e nevojshme të mjeteve financiare për pagesën e shtesës së rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës dhe atë në mënyrë retroaktive nga dita e hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat në sektorin publik. Po ashtu kërkohet që Qeveria e Kosovës të propozojë buxhetin nevojshëm për vitin e ri fiskal për mbulimin e pagesës së sigurimit shëndetësor të zyrtarëve policorë nga 1 janari i vitit 2024, si dhe brenda 60 ditëve ekzekutivi të merr nismën për hartimin dhe miratimin e projektligjit për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë.
Ai tutje ka folur për kushtet e vëshitra me të cilat përballet Policia e Kosovës.
Ai ka thënë se nga hyrja në fuqi e Ligjit për Paga për sektorin publik më 5 shkurt të këtij viti zyrtarëve policor iu ka ndalur shtesa e rrezikshmërisë.
“Ky është një vendim i padrejtë dhe ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre dhe familjeve të tyre, por edhe në vullnetin dhe motivin përballë punës së tyre sfiduese”, ka thënë Qalaj.
Ai ka kërkuar edhe rregullimin e sigurimit shëndetësor për zyrtarët policorë, derisa për punë më efektive të policisë, sipas tij, është e nevojshme edhe pensionimi i parakohshëm i zyrtarëve policorë, me një pension të dinjitetshëm.
Kuvendi sot mban dy seanca plenare
N.M. /RTKlive
Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën pikë e rendit të ditës do të jetë “Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës”.
Kurse në seancën e dytë, të rregullt parlamentare, e cila pritet të fillojë në orën 13:00 , në rend të ditës janë, miratimin i procesverbalit nga seanca plenare e mëparshme, pyetjet parlamentare, Votimi i Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit dhe shumë pika të tjera
Deputetët e Kuvendit, gjithashtu pritet të diskutojnë, shqyrtojnë dhe votojnë edhe për shumë pika të tjera të rendit të ditës, si: Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”, si edhe Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.























