Sonte shfaqet dokumentari për Malcolm,paraqet kundërvënien ndaj propagandës
Medina Pasoma / RTKlive
Sonte mirëpritet në Kosovë shkrimtari dhe historiani i njohur, Sir Noel Malcolm nëpërmjet filmit dokumentar për jetën dhe veprën e tij për Kosovën e shqiptarët. Regjisori e skenaristi Mal Berisha ka qenë i ftuar në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK ku ka treguar për ecurinë e përgatitjes së këtij filmi.
Berisha kishte pasur fatin ta njihte Malcolm gjatë kohës sa ishte ambasador i Shqipërisë në Britaninë e Madhe. Kështu edhe kishte qenë përkrahë tij gjatë kohës kur ai kishte botuar librat për shqiptarët.
“Një ditë prej ditësh më ndodhi që erdhi në zyre dhe tha që kam shkruajtur një libër për shqiptarët, që është ‘Agjente Perandorak’. Është një nga sagat më të bukura për historinë shqiptare dhe kërkonte që ta bënte në selinë e Ambasadës. E inaguruam librin aty dhe më vonë e shkruajti librin tjetër ‘Rebelët, besimtarët, të mbijetuarit (studime mbi historinë e shqiptarëve)’, që është një sagë tjetër me 12 kapituj”, ka thënë Berisha.
Njohja me historinë e shqiptarëve, vullneti për dokumentimin e kësaj pjese dhe burimet te të cilat është mbështetur gjatë rrugëtimit të tij si shkrimtar janë temat e dokumentarit i cili do të shfaqet sonte në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” duke filluar nga ora 18:00, transmeton RTK live.
“Reagimi i tij ishte që unë i respektoj shqiptarët, e di që më duan. Për dokumentarin nuk e shoh të nevojshme, por nuk mund të më ndalonte. Ishte kohë e pandemisë dhe nuk ishte e lehtë të mbylleshe për të bërë intervista”, ka treguar Berisha për reagimin e Malcolm rreth dokumentarit.
Berisha ka treguar pak detaje nga aspekti përmbajtësor i dokumentarit, duke thënë se të gjithë të intervistuar janë pajtuar që Malcolm ka paraqitur atë që fshihej në kohën e propagandës së Beogradit.
“Të intervistuarit thonë hapur që Sir Noel Malcolm është ai që ka çmontuar gjithë shpifjen e Akademisë së Shkencave të Serbisë ndaj çështjes shqiptare dhe ai vet e thotë që në kohën e Jugosllavisë ata që merreshin me çështjen jugosllave të gjithë shkonin në Beograd, pak shkonin në Zagreb dhe askush në Prishtinë. Kështuqë perceptimi ynë për atë kohë ishte ajo që jipej nga Beogradi”, ka thënë regjisori për RTK-në.























