Bislimi: Rezoluta e PE-së kërkon njohjen reciproke
E.H/RTKlive
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka mirëpritur rezolutën e Parlamentit Evropian e cila dënon sulmin në Banjskë.
Ai në një postim në platformën 'X' ka thënë se kjo rezolutë thekson njohjen reciproke si një parim dhe qasje të balancuar në procesin e dialogut.
“E mirëpres rezolutën e miratuar sot nga Parlamenti Evropian e cila ndër të tjera dënon sulmin terrorist të Serbisë dhe bën thirrje për miratimin e masave kufizuese. Ajo gjithashtu thekson njohjen reciproke si një parim dhe një qasje të balancuar në procesin e dialogut”, ka shkruar ai.

Ndryshe Parlamenti Evropian sot ka miratuar rezolutën në të cilën e ka dënuar sulmi i 24 shtatorit, dhe ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’i heqë masat ndaj Kosovës e të vendos masa ndaj Serbisë nëse vërtetohen lidhjet e këtij shteti me sulmin në fjalë. Nga Brukseli kërkohet ndryshimi i qasjes në dialog.
Sulmin në Banjskë euro-deputetët e kanë cilësuar si sulm qyqar të tmerrshëm terrorist nga ana e paramilitarëve mirë të organizuar serbë.
Nëpërmjet të kësaj Rezolute i bëhet ftesë institucioneve evropiane që të ndërmarrin masa restriktive ndaj Serbisë, nëse hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë me sulmin në Banjskë, ose nëse autoritetet e Beogradit nuk do të tregojnë vullnet për bashkëpunim të plotë në procesin e hetimeve.























