Edhe 6 ditë nga Festivali i Këngës së RTK-së
M.P. / RTKlive
Kanë mbetur gjithsej edhe 6 ditë nga nisja e edicionit të parë të Festivalit të Këngës të Radio Televizionit të Kosovës.
Pallati i Rinisë tash e disa javë është nikoqir i Orkestrës së themeluar enkas për Festivalin, të cilët dalëngadalë po kompletojnë përgatitjet drejt tre netëve të performancave të drejtpërdrejta.
Drejtori artistik Florent Boshnjaku po përkujdeset që muzikalisht gjithçka të shkojë për së mbari, teksa Alfred Kaçinari, Valton Beqiri e Edon Ramadani janë dirigjentët e mbrëmjeve.
Përveç 18 këngëve garuese, Festivali ka përgatitur edhe program përtej konkurrimit muzikor. Janë disa emra të skenës muzikore vendore ata të cilët do të shoqërojnë programin mysafir.
Visar Kuçi, Valton Beqiri, Edon Ramadani, Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari e Florent Boshnjaku kanë orkestruar disa nga këngët, në mënyrë që ato të tingëllojnë në përshtatshmëri me misionin e Festivalit.
Përtej anës muzikore, punimet po vazhdojnë në mënyrë intensive edhe në sallën ku do të mbahet Festivali, e specifikisht edhe në skenografi e cila do të përçoj një mesazh që do të kuptohet nga publiku gjatë datave 26, 27 e 28 tetor.
Edicioni i parë i Festivalit të Këngës do të transmetohet live në Radio Kosovë dhe në Radio Televizionin e Kosovës.


























