Hosaflook: Shqiptarët popull që kanë vuajtur, kanë aspirata për të ardhmen
M.P. / RTKlive
Ai është i lidhur me Shqipërinë qe 30 vjet. Fillimisht kishte ardhur për një ndihmë humane, ndërkaq tash David Hosaflook, vepron si historian dhe drejtor i Institutit për Studime Shqiptare në Tiranë.
Hosaflook me prejardhje amerikane, ka doktoruar në Histori në Universitetin e Tiranës. Kontributi i tij për gjuhën shqipe është çmuar edhe nga institucionet shtetërore të Shqipërisë, teksa është fitues i çmimit “Meyer-Pedersen-Jokl” i dhënë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë për “punë të jashtëzakonshme kërkimore në fushën e albanologjisë” dhe laureat i çmimit të parë “22 Nëntori” në Republikë. të Maqedonisë së Veriut, për “arritjet në sferën e jetës politike, kulturore dhe shoqërore, të cilat kanë kontribuar në avancimin e mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve dhe kulturave të ndryshme”, transmeton RTKlive.
“Më bëri përshtypje ngrohtësia e njerëzve. Kam gjetur te shqiptarët një popull që kanë vuajtur shumë dhe kanë pasur aspirata e shpresa për një të ardhme më të mirë. Në Shqipëri nuk kisha dëgjuar shumë ose aspak për Kosovën, me kalimin e kohës fillova të kuptoj edhe vështirësitë e shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë ai për RTK-në në "Mirëmëngjesi Kosovë".























