Haxhiu në takim me deputeten Kearns, merr mbështetje për sundim të ligjit
M.Sh/RTKlive
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pritur në takim deputeten dhe kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns nga e cila ka marrë mbështetje për forcimi e mëtejmë të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Gjatë këtij takimi, është diskutuar për situatën në veri të Kosovës, me theks të veçantë për ngjarjet e fundit me sulmin terrorist në territorin e Republikës së Kosovës të dirigjuar nga Serbia.
Sipas njoftimit për media, ministrja Haxhiu ka informuar deputeten Kearns për punën e institucioneve të drejtësisë, për t’i sjellë para përgjegjësisë penale terroristët, refuzimin e Serbisë për të dorëzuar terroristët, për procedurat për fletërreshtimin ndërkombëtar.
Temë diskutimi ishte gjithashtu bashkëpunimi i Republikës së Kosovës me mekanizmat ndërkombëtar, njofton MD.
Tutje Ministrja Haxhiu e ka njoftuar deputeten Kearns për prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, sfidat dhe rezultatet gjatë këtij rrugëtimi. Derisa reforma në sistemin e drejtësisë, adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës, dhuna në familje, ishin disa nga temat e diskutuara në këtë takim.
Deputetja dhe kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, u zotua për mbështetje të vazhdueshme të Kosovës në proceset e saj veçmas në kuadër të forcimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Kosovë.
Të dy palët u dakorduan për komunikim të vazhdueshëm për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin në dobi të fuqizimit të Republikës së Kosovës në aspiratat e saj.























