Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme, opozita fajëson pushtetin për bojkot
M.Miftari & E.Podvorica
(E plotësuar) Deputetët e Kuvendit të Kosovës, pas një pauze, janë kthyer sërish në sallë për të vazhduar me seancën e jashtëzakonshme, në të cilën po marrin pjesë vetëm deputetët e opozitës.
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës është thirrur nga AAK, ku pikë e rendit të ditës është ngritja e koeficientit të pagave.
Pas ndërprerjes të seancës së rregullt plenare, Kuvendi i Kosovës ka vazhduar me seancën e jashtëzakonshme, deputetët e partisë në pushtet e lëshuan sallën, për të mos marrë pjesë në seancën e thirrur nga opozita.
Sikundër dihet, pas kësaj ndërprerjeje, Kuvendi i Kosovës ka vazhduar me seancën e jashtëzakonshme, të thirrur nga AAK, për ngritjen e koeficientit të pagave.
I vetmi deputet i LVV-së, që qëndrojë në sallë, pas seancës së rregullt, ishte Eman Rrahmani, i cili, ka kërkuar unitet “tash kur dialogu është në një fazë të rëndësishme”. Ai ka thënë se janë të pakuptimta veprimet e deputetëve që nuk i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare dhe atyre që bojkotojnë seancat plenare.
Në vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme, deputetët e opozitës kritikuan mospjesëmarrjen e deputetëve shumicë në Kuvend, duke bojkotuar, kështu, debatin për çështjen e ngritjes së koeficientit të pagës.
Duke krahasuar përbërjen e Kuvendit mes të kaluarës dhe të tashmes, deputetët e opozitës vlerësojnë se pamja e tanishme e Kuvendit është e shëmtuar.
Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica, foli edhe për rolin e medieve në këtë mes, që me mungesën e deputetëve shumicë, mungojnë edhe ato.
Seanca e jashtëzakonshme, Kuvendi shkon në pauzë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkruar në pauzë deri në orën 15:30, kur më pas pritet të vazhdojë sërish seanca e jashtëzakonshme, në të cilën po marrin pjesë vetëm deputetët e opozitës.
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës është thirrur nga AAK, ku pikë e rendit të ditës është ngritja e koeficientit të pagave.
Nis seanca e jashtëzakonshme, deputetët e partisë në pushtet liruan sallën
Pas ndërprerjes të seancës së rregullt plenare, Kuvendi i Kosovës ka vazhduar me seancën e jashtëzakonshme, të thirrur nga AAK, për ngritjen e koeficientit të pagave.
Kryetari i GP të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, derisa mori fjalën për diskutim, deputetët e partisë në pushtet u larguan nga salla e ku mbahej seanca.
Megjithatë Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën e jashtëzakonshme, me deputetë të opozitës. Por i vetmi deputet i LVV-së, që po vazhdon të qëndrojë në sallë është Eman Rrahmani.
Tahiri: Fondi i pagave të shkojë në 916 milionë

Kryetari i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, derisa mori fjalën për diskutim deputetët e partisë në pushtet u larguan nga salla, ku mbahej seanca.
Kryetari i GP të AAK-së, njëherësh, thirrësi i kësaj seance të jashtëzakonshme, u shpreh kritik për veprimin e deputetëve të partisë në pushtet, ngase, sikundër tha ai, kanë qenë të dakorduar për mbajtjen e kësaj seance.
Sipas tij, debati parlamentar për nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave bazohet të gjend e përgjithshme sociale dhe ekonomike në vend, që është shumë e vështirë dhe që dita-ditës po përkeqësohet.
Tahiri e kritikoi qeverinë për ‘Ligjin për Ngritjen e Pagave’, që nuk arriti ta zbusë krizën ekonomike.
Ai propozoi që fondi i pagave të rritet në 916 milionë euro, derisa elaboroi burimet e këtyre të ardhurave, teksa siguroi se nuk do të preket struktura buxhetore e shtetit.
Tahiri për pushtetin: E pamundshme me bashkëpunosh me të
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka akuzuar pushtetin, duke thënë se është i kotë bashkëpunimi me të.
“Me mirëkuptim u pajtuam që seanca e jashtëzakonshme të nisë në ora 12:00. I thash Bensikut që rrejnë, i kryejnë punët e veta e ikin, nuk ta mbajnë fjalën, po leje ashtu siç e ke planifikuar në ora 10:00. Doli sot ashtu siç thash. Është e kotë edhe me i miratu marrëveshjet ndërkombëtare, sepse është e kotë me i bashkëpunu me ta. E lëshojnë seancën. Është e pamundshme me bashkëpunu me ta. Është gabim me ja miratu këtyre ligjet, marrëveshjet ndërkombëtare e buxhetin, sepse vetëm të varfërojnë”, ka deklaruar ai.
Mustafa: Qindra zyrtarë publikë kanë dhënë dorëheqje për shkak të pakënaqësive
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se partia në pushtet nuk është e gatshme që as të diskutojë për problemet me të cilat po përballen zyrtarët publik, e lerë më të rrisë koeficientin e pages. Sipas tij, për si shkak pakënaqësive janë qindra zyrtarë publikë që kanë dhënë dorëheqje.
“Është fatkeqësi se sa herë diskutojmë tema të rëndësishme, partia në pushte refuzon që të diskutojë. Inflacioni dhe mungesa e fuqisë punëtore tekë sektori privat, krijoj presion të shtuar tek sektori publik. Kemi qindra shërbyes civili që po largohen vullnetarisht nga puna e tyre për shkak të pakënaqësive. Gjithë sektori publik gjithnjë e me shumë e kanë vështirë të menaxhoj e buxhetin. Kjo për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve deri në 100% në këto tri vite. Me këto problem të rritje së çmimeve dhe kjo ekonomi, zgjidhje me e pakët që do të duhej që të i’u ofrohej zyrtarëve të shtetit kjo qeveri është që të bënte rritjen e koeficientit. Ata nuk janë të gatshme që as të diskutojnë lerë më të rris koeficienti”, tha ai.
Rrahmani: Të pakuptimta veprimet e deputetëve
Deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani, i cili është në sallën e Kuvendit, ka kërkuar unitet tash kur dialogu është në një fazë të rëndësishme. Ai ka thënë se janë të pakuptimta veprimet e deputetëve që nuk i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare dhe atyre që bojkotojnë seancat plenare
“Nuk ka kuptim mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, por s’ka as kuptim bojkotimi i seancave nga deputetet e pozitës. Ajo çka po vërejë është një polarizim i skajshëm këtu. Është mirë qe t’i thërrasin vetes te gjithë, pozita edhe opozita. Marrëveshjet janë të Republikës së Kosovës, nuk janë pozitës e as të Kuvendit. Bojkotimi i seancave është bërë një praktikë e rrezikshme. Sa i përket koeficientit të pagave, shpejt vjen projektligji për buxhetin e vitit 2024, aty mundemi me kontribu secili. Ju kisha lutë për unitet, sidomos në këtë tash kur dialogu është në një fazë të rëndësishme, por edhe në pika të tjera”, ka thënë Rrahmani.
Atij i ka reaguar deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, duke i thënë se opozita i ka votuar 52 marrëveshje ndërkombëtare.
“Po ia kujtoj Emanit që i kemi votuar 52 marrëveshje. I kemi dhënë qasje kësaj qeverie në 860 milionë euro për hir të qytetarëve, i kemi miratuar mbi 80 për qind të gjitha iniciativat ligjore, por cila është gjendja sot”, është shprehur Tahiri.
Kuvendi shkarkon kryesuesen dhe anëtarët e Bordit e KPMM-së

Shkarkohen kryesuesja dhe anëtarët e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Kuvendi i Kosovës në seancën e saj të rregullt e ka shkarkuar kryesuesen e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Selvete-Grajqevci-Pllana.
Ishin 62 vota për që dërguan në shkarkimin e kryesuesen e Bordit, teksa pati dy abstenime dhe asnjë votë kundër.
Në këtë seancë po ashtu u shkarkuan edhe anëtarët e bordit, Rrezarta Pushkolli, Gani Kastrati dhe Gani Maliqi.
Kuvendi, në këtë seancë ka miratuar edhe vendimin e Komisionit Funksional lidhur me Komisionin e Pavarur për Miniera e Minerale. Gjithashtu, Kuvendi, me 64 vota për ka miratuar Ligjin për Pronën Publike.
Tutje, Kuvendi, me gjithë kundërshtimin e deputetëve të opozitës, miratoi Ligjin për Prokurorinë Speciale, me 64 vota për. Me 62 vota për, Kuvendi votoi edhe Ligjin për Plotësim-Ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kuvendi e miratoi në parim Projektligjin për Artin dhe Kulturën dhe me këtë pikë përfundon seanca e rregullt e Kuvendit të Kosovës, për të vazhduar me seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga AAK për ngritjen e koeficientit të pagave.
Tahiri kritikon qasjen e qeverisë ndaj ndërmarrjes Trepça

Kryetari i GP të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në fjalën e tij në seancën parlamentare të Kuvendit të Kosovës u shpreh kritik ndaj qeverisë lidhur me qasjen ndaj Trepçës.
“Një institucion kaq i rëndësishëm siç është Trepça mos të merret as ministrja e Zhvillimit Ekonomik, as Kryeministri, asnjë zëvendës i kryeministrit, as deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të lihen në një farë lloj heshtjeje, kaosi, duke pretenduar se nuk po ndodhë asgjë”, tha deputeti Tahiri, derisa shtoi se protestat e tyre, kanë një simbolikë të fuqishme.
Ai tha se nuk mund të lejojmë të vazhdojë më tutje, teksa vijoi më tej se nëse nuk vërehet një angazhim serioz nga Qeveria, si opozitë do të marrin iniciativë për ta ftuar një seancë parlamentare,
“Ky Kuvend duhet ta miratojë një rezolutë përmes të cilës kërkojmë që të përmbushen kërkesat minatorëve të Trepçës”, tha mes tjerash Tahiri.
Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka ftuar Qeverinë dhe deputetët të reflektojnë për zgjidhjen e çështjes së minatorëve të Trepçës, të cilët, tash e tri ditë, janë në grevë për shkak të mungesës së pagave dhe kushteve të rënda të punës.
Shala, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet shkarkimi i kryesueses dhe anëtarëve të Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), tha se nuk ka asnjë pikë më të rëndësishme se sa gjendja shëndetësore e minatorëve të Trepçës, të ngujuar në nëntokë.
“Ne si Grup Parlamentar nuk marrim pjesë në shkarkim dhe sigurisht kjo do të vazhdojë ashtu siç e keni planifikuar vetë. Ky rregullator i industrisë sot është ai që e ka sjellë situatën këtu, por jo me fajin e vetë sa me fajin e Qeverisë. Sot, në minierën “Trepça”, ndërmarrja bazike industriale minerare, po vazhdon dita e tretë e grevës”, theksoi ai.
Kuvendi nis seancën plenare
Kuvendi i Kosovës ka nisur vazhdimin e seancës, ku në rend dite janë 11 pika, përfshirë plotësimi dhe ndryshimi i Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.
Në seancë janë të pranishëm deputetët e pozitës dhe të opozitës.























