Sveçla: Sanksionimi i Serbisë parandalon përsëritjen e sulmeve
BKT
Lajme

Sveçla: Sanksionimi i Serbisë parandalon përsëritjen e sulmeve

E. Hoti / RTKlive

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në Forumin e Ministrave të Brendshëm që është mbajtur nën organizimin e Presidencës Spanjolle të Këshillit të Evropës dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai ka kërkuar sanksionimin e Serbisë si parandalim që sulmet si ai në Banjskë më 24 shtator të mos përsëriten.

Në një postim në Facebook, Sveçla ka thënë se gjatë takimi kanë diskutuar për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, luftimin e substancave narkotike në shoqëri, migrimin, azilin dhe menaxhimin e integruar të kufirit.

“Në fjalën time theksova angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, veçanërisht duke njohur faktin që institucionet tona dhe zyrtarët tanë, prej më shumë se dy vitesh janë ballafaquar me sulme të njëpasnjëshme terroriste në veriun e vendit tonë”, ka shkruar ai.

Ai ka ritheksuar rëndësinë e sanksionimit të Serbisë si parandalim që sulmet si ai në Banjskë më 24 shtator të mos përsëriten.

“Duke përshëndetur Rezolutën e Parlamentit Evropian që dënon sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku humbi jetën Rreshter Afrim Bunjaku, ritheksova rëndësinë e sanksionimit të Serbisë si parandalim që sulmet e tilla të mos përsëriten më. Theksova se falë angazhimit dhe profesionalizmit të Policisë sonë, me 24 shtator u parandalua një katastrofë dhe u mbrojtën jetët e qytetarëve, të zyrtarëve të tjerë policor, sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës sonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai më tej ka thënë se ka prezantuar angazhimet e institucioneve të Kosovës në fushën e drogave, migrimit, azilit dhe menaxhimit të integruar të kufirit si në aspektin e legjislacionit i cili është në përputhje të plotë me direktivat e BE-së, bashkëpunimin me shtetet e rajonit dhe me Agjencitë e BE-së në këto fusha.

“Rikonfirmova gatishmërinë tonë të plotë për bashkëpunim dhe avansim të politikave që synojnë siguri, paqe e drejtësi për vendet tona dhe për rajonin tonë”,  ka shkruar Sveçla.


MË SHUME NGA Lajme