MKRS: Festivali i Këngës, kthesë serioze për muzikën shqipe
BKT
Kulturë

MKRS: Festivali i Këngës, kthesë serioze për muzikën shqipe

RTKlive

Ministria e Kulturës e ka vlerësuar Festivalin e Këngës si ngjarje historike. “Është kthesë serioze për muzikën shqipe, duke e afruar më pranë zemrës së publikut dhe njëkohësisht, duke e shtruar rrugën për në Eurosong”, ka thënë kjo ministri, e cila e ka mbështetur festivalin.

“Për organizimin e kësaj ngjarjeje historike e madhështore, Ministria e Kulturës ka dhënë 300.000 euro. Përmes politikave dhe investimeve të duhura si kjo, po zhvillojmë dhe promovojmë artistët dhe vlerat tona kulturore. Ngjarja është më shumë se një festival. Është shtëpia e re e artistëve. Është kthesë serioze për muzikën shqipe, duke e afruar më pranë zemrës së publikut dhe njëkohësisht, duke e shtruar rrugën për në Eurosong. Përgëzime RTK-së për organizimin fantastik dhe në veçanti drejtorit të festivalit, Adi Krasta. Falënderime për Komunën e Prishtinës për kontributin e tyre për pastrimin dhe rregullimin e sallës së madhe të Pallatit të Rinisë. Suksese të gjithë artistëve pjesëmarrës”, thuhet në një postim në Facebook të Ministrisë së Kulturës.

Ndërsa sonte do të riperformojnë artistët nga e para, teksa juria profesionale do të bëjë vlerësimin, duke selektuar 9 nga to për të vazhduar në garë.

E në natën finale do të shpallet fituesi apo fituesja e edicionit të parë. Shpërblimi për çmimin e parë do të jetë trofeu i punuar nga Arbenitë Shala e Zana Ramadani, e cila ka simbolikën e Kosovës që shkëlqen.

Gjithashtu fituesit/fitueses do t’i jepet një dhuratë e rëndësishme, që është një medaljon me shqiponjën e flamurit shqiptar që ka 500 diamante.


MË SHUME NGA Kulturë