OSBE përmbyll kampin për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Pejë
V.Th. RTKlive
OSBE njofton se është përmbyllur sot kampi pesëditor i të rinjve për restaurimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore në Çarshinë e Vjetër të Pejës, organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, për 10 studentë të arkitekturës dhe antropologjisë.
Sipas njoftimit, synimi i kampit ishte zgjerimi i njohurive dhe vetëdijes së studentëve për vlerat e trashëgimisë kulturore, së bashku me dobitë e saj kulturore, sociale dhe ekonomike.
“Kampi gjithashtu shërbeu për të kuptuar më mirë Planin e Menaxhimit të Trashëgimisë Kulturore, të hartuar bashkërisht nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe komuna e Pejës, si vegël për të avancuar mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e objekteve të trashëgimisë kulturore”, thuhet në njoftim.
E tutje njoftohet se përgjatë programit, studentët u fokusuan në dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore brenda Çarshisë së Vjetër, ansambël urban i mbrojtur që pësoi shkatërrim në shkallë të madhe gjatë konfliktit të vitit 1999, e që më vonë u rindërtua për të pasqyruar vlerat unike të trashëgimisë kulturore.
“Studentët gjithashtu mësuan nga ekspertë të trashëgimisë kulturore për kornizën normative dhe institucionale, duke përfshirë standardet më të larta ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, me theks në shfrytëzimin e qëndrueshëm të vlerave të trashëgimisë kulturore për të nxitur zhvillimin socio-ekonomik”.
Arlinda Shatri, studente e antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, tha se nga ky kamp kuptoi se ka një aspekt shumë më të madh rreth Çarshisë së Vjetër.
“Ekziston një traditë më e madhe nga sa mendoja, vetë Çarshia e Vjetër ofron një stimulim të shoqërisë kolektive, nuk është vetëm një pjesë për të blerë gjëra, por edhe një vend takimi për njerëzit. Për më tepër, tani jam në gjendje të kuptoj më mirë rastet urgjente, kur asetet kulturore janë në rrezik dhe çfarë mund të bëhet në këtë drejtim”, tha ajo.
Kampi përfshinte edhe takime me pronarë dyqanesh, përmes të cilëve studentët mblodhën të dhëna që do të mbështesin grupin punues në finalizimin e Planit të Menaxhimit të Trashëgimisë Kulturore për Çarshinë e Vjetër. Kampi përfundoi me një vizitë në disa nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë Çarshinë e Madhe në Gjakovë, Qendrën Historike të Prizrenit dhe Parkun Arkeologjik të Ulpianës.























