Sindikata i reagon ndërmarrjes `Trepça`: Po gjeni kohë për shantazhe
Sh.Ç /RTKlive
(E plotësuar) Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar ndaj Ndërmarrjes `Trepça`, pasi kjo e fundit ka publikuar disa fotografi të punëtorëve duke thënë se ata po e bojkotojnë punën.
Sindikata ka theksuar se në fotografi janë grevistet, të cilët po ndihmojnë minatorët e mbyllur në minierë.
“Në faqen zyrtare në Facebook të ndërmarrjes Trepça Sh.A janë publikuar disa fotografi të grevistëve dhe personave të vullnetit të mirë të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar minatorët e mbyllur në minierë. Në këtë postim ndër të tjera thuhet se këta persona janë sabotues dhe bojkotues të punës, duke kërcënuar se ndaj të njëjtëve do të merren vendime, duke kërcënuar minatorët grevist dhe duke shfaqur fytyrën e tyre të vërtetë”, thuhet në reagimin e Sindikatës.
Ndërmarrja “Trepça” publikon fotografi, thotë se po sabotohet puna
Ndërmarrja “Trepça” ka dalë me një njoftim për situatën e krijuar pas grevës së minatorëve të minierës me flotacion. Menaxhmenti i kësaj ndërmarrje, ka publikuar disa foto, duke theksuar se sabotimi dhe bojkotimi i punës nuk është zgjidhja e problemeve.
“Fotot më poshtë janë vetëm disa nga ato që janë marrë nga kamerat e sigurisë të Trepça Sh.A. dhe që janë vendos për të ruajtur pronën dhe sigurinë e ndërmarrjes. Nga këto foto shihet qartë sabotimi dhe bojkotimi i punës, hyrje dalje të pakontrolluara të punëtoreve si dhe sjellja e drekave e darkave për sabotuesit”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit thuhet se menaxhmenti i Trepça. do të ndërmerr shumë shpejtë vendime që do të bazohen në argumente dhe fakte, të cilat do të ndihmojnë që ndërmarrja të kthehet në binarët e vet të funksionalizimit.
Minatorët grevist marrin mbështetje nga minatorët e SHBA-së
Greva e minatorëve në minierën e “Trepçës” po vazhdon, ku ata kanë hyrë në ditën e gjashtë të saj. Disa prej tyre kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore.
Minatorët grevist të 'Trepçës' thënë se për të ndërprerë atë duhet të kenë siguri për realizimin kërkesave. Ata kërkojnë një marrëveshje me shkrim.
Ndërkohë, me minatorët grevist janë solidarizuar punëtorët e Bashkuar të Minierave të Amerikës (UMWA).
Kjo organizatë sindikale i ka shkruar lëtër kryeministrit Albin Kurti, me të cilën kanë shprehur përkrahjen e tyre për minatorët e Sindikatës së Pavarur të ‘TREPÇËS’ të cilët janë në grevë urie nga 24 tetori
“Është një gjendje tragjike kur punëtorët që rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë për të mirën e vendit të tyre janë të detyruar të drejtojnë një grevë urie për të siguruar një marrëveshje të drejtë kolektive që ofron dinjitet, një mjedis të sigurt pune, përfitime jetike shëndetësore dhe kompensim të drejtë për shërbimin kritik që ata ofrojnë”, thuhet në letër.
Sipas letrës, UMWA kërkon nga kryeministri që të bëjë gjithçka për të zgjidhur me shpejtësi dhe drejtësi këtë grevë, duke u siguruar që minatorëve t'u sigurohet siguria dhe dinjiteti.
“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në solidaritet me vëllezërit dhe motrat tona të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve ‘TREPÇËS’ dhe lutemi për zgjidhjen e shpejtë dhe të drejtë të kësaj greve”, thuhet ndër të tjera në letrën e UMWA, drejtuar kryeministri Kurti.























