MPB: Përfitoni nga lehtësirat e Qeverisë, regjistroni automjetet në RKS
M.Sh/RTKlive
Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e regjistrimit të automjeteve me targa të vjetra deri më 1 dhjetor 2023, është deklaruar edhe Ministria e Punëve të Brendshme, e cila u bën thirrje të gjithë qytetarëve që posedojnë targa ilegale, që t’i kthejnë ato brenda muajit nëntor në traga legale.
“Ju njoftojmë se bazuar në vendimin e qeverisë Nr.01/170 të Republikës së Kosovës të gjithë ju që jeni të pajisur me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, nga data 10 qershor 1999 deri me 21 prill 2022, mund të bëni regjistrimin me targa RKS nga data 1 nëntor 2023 deri me 1 dhjetor 2023”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve, sipas MPB-së, qytetarët do të keni mundësi të përfitojnë nga lehtësirat për regjistrim të mjeteve nga targat ilegale në targa RKS deri me datë 1 dhjetor 2023 duke përfshirë: taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit.
“Mjetet tuaja motorike mund t’i regjistroni në cilëndo qendër të regjistrimit, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit që keni. Ftojmë të gjithë qytetarët tanë, të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA”, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe bashkërisht të përfundojmë me sukses këtë proces”, thuhet në thirrjen e MPB-së.
Për çfarëdo informacioni shtesë, kjo ministri i fton qytetarët që të na drejtohen edhe MPB-së në adresën : [email protected].























