Qerkini: ZPS bëri shkelje, bastisi pronat e familjarëve të Behramit
N.M. /RTKlive
(E plotësuar, ora 17.20) Me urdhër të Prokurorisë së Dhomave të Specializuar të Gjykatës së Hagës, të martën, është bastisur banesa e Artan Behramit, ish-këshilltar i presidentit Hashim Thaçi.
Pas përfundimit të bastisjeve, foli Artan Qerkini, avokat i Behramit, i cili tha se bastisja e sotme ishte një përpjekje e dështuar e Zyrës së Prokurorit Special (ZPS), për të siguruar, kinse, prova për proceduarat për Gjykatën Speciale.
“Këto bastisje janë në kundërshtim me Kushtetutën, me Konventën Evropiane dhe ligjin. Këto bastisje e kanë humbur çdo kuptim dhe logjikë, sepse cili person do të mbante në banesën e vet gjëra inkriminuese, kur dihet gjueti masive e Zyrës së Prokurorit Special nëpër pronat, banesat e shtëpitë e shtetaseve të Kosovës”, tha Qerkini.
Avokati Qerkini paralajmëroi se ndaj këtyre veprimeve të kësaj Gjykate do të ndërmarrin hapa konkretë kundër tyre, në momentin e duhur. Ai pohoi se gjatë bastisjes nuk është marrë asgjë me rëndësi, përveç se janë konfiskuar tableta të fëmijëve.
“Ne do t'i analizojmë procedurat dhe do të vendosim se çka do të ndërmarrim kundër këtyre veprimeve. Behrami nuk është as i dyshuar, ndaj tij janë bërë shkelje, sepse është bastisur edhe prona e familjarëve”, tha Qerkini.
Bastiset edhe banesa e prindërve të Artan Behramit

A.B / RTKlive
RTKlive merr vesh se ka nisur bastisja e banesës së prindërve të Artan Behramit, ish-këshilltarit të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Bastisja po kryhet me urdhër të Prokurorisë së Dhomave të Specializuar të Gjykatës së Hagës.
Bastisjet në Kosovë, flasin për RTKlive nga Specialja
Gjykata Speciale po vazhdon edhe sot bastisjet në Prishtinë.
RTKlive mëson se EULEX- i këto momente është duke bastisur banesën e Artan Behramit, ish-këshilltarit të Hashim Thaçit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka konfirmuar operacionet që janë duke u zhvilluar sot në Prishtinë.
Zëdhënësi Cristopher Bennett, tha për RTKlive se Zyra e Prokurorit të Specializuar (SPO) është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë. Operacionet e PSP-së po mbështeten nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Çitaku reagon për bastisjet e Speciales
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar për bastisjen nga Specialja që po zhvillohet në shtëpinë e ish-këshilltarit të Thaçit.
Ajo ka shkruar se kjo nuk është drejtësi, por përndjekje e persekutim, duke theksuar se dje u bastisën Blerimi e Bashkimi e sot Artani.
Çitaku shtoi se po shihet sheshazi se kjo është përndjekje politike. Ndërkaq dje, Specialja ka kryer bastisje edhe në shtëpitë e Blerim Shalës dhe të Bashkim Smakajt.


Lajm në përditësim..























