Çerkini e vlerëson cenim të privatësisë bastisjen e shtëpisë së Sylës
E.Hoti/ RTKlive
Cenim të privatësisë e ka vlerësuar bastisjen e sotme të EULEX-it me urdhër të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara të shtëpisë së Ismail Sylës, ish-këshilltarit të ish-presidentit Thaçi, avokati i tij, Artan Çerkini.
Ai ka thënë se nuk ka pasur nevojë për spektakle të tilla. "Është duke u cenuar privatësia e personave pa ndonjë bazë ligjore dhe pa ndonjë logjikë të shëndoshë juridike. Kjo fushatë e bastisjeve tashmë është e njohur për opinionin publik.Nuk ka asnjë njeri me inteligjencë mesatare që do të mbante në shtëpinë e vet diçka inkriminuse, duke e ditur se shumë lehtë mund të jetë shënjestër e bastisjeve. Prandaj, të njëjtat janë të kota dhe nuk janë në funksion të realizimit të qëllimit të bastisjes marrë parasysh rrethanat e rasteve konkrete", tha Çerkini.
Ai tha se nuk është konfiskuar asgjë tjetër përveç telefonit të Sylës.
"Po ta ftonin atë që ta dorëzojë atë telefon, ai do ta bënte një gjë të tillë", shtoi ai.
Bastiset shtëpia e ish-këshilltarit të Thaçit, Ismail Syla
N.M. /RTKlive
Një bastisje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ndodhur të mërkurën në mëngjes në shtëpinë e Ismail Sylës ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili po gjykohet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për krime të pretenduara lufte në Hagë, raporton RTKlive.
Kanë vazhduar edhe sot bastisjet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Qysh në mëngjes, Specialja ka bastisur banesën e Ismail Sylës, ish-këshilltar i ish-presidentit Thaçi.
Ndërkaq, para dy ditësh dhe të martën, Specialja ka bastisur edhe disa shtëpi të tjera, të ish-këshilltarëve të ish-presidentit Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami, si dhe të disa ish-ushtarëve të UÇK-së, ku edhe u ka konfiskuar materiale të ndryshme dhe telefona.
Prokuroria e Specializuar e Hagës kohëve të fundit ka pasur disa aksione të ndryshme të ngjashme. Bastisje kishte pasur edhe në shtëpinë e heroit Fahri Fazliu dhe në familjen e Hakif Zejnullahut.
Javë më parë Prokurori i Dhomave te Specializuara ua ka konfiskuar telefonat disa ish-ushtarëve të UÇK-së, përfshirë edhe komandantin e zonës së Llapit, Rrustem Mustafa.
E muaj më parë ishte bastisur edhe shtëpia e ish-këshilltarit tjetër, Adil Behramaj, ish-këshilltar i ish-presidentit Thaçi.

Në përditësim ...























