Kurti: Kosova është shtet i të gjithëve, jo vetëm i shumicës
BKT
Lajme

Kurti: Kosova është shtet i të gjithëve, jo vetëm i shumicës

M.Sh/RTKlive

Kryeministri Albin Kurti ka shkruar të mërkurën në rrjetin social Facebook, për angazhimin e qeverisë për rritjen e subvencioneve për qytetarët, e me theks të veçanet për komunitetet. Kurti thotë se qeverisja e tij e ka në program ndihmën ndaj qytetarëve dhe nga viti i kaluar shihet një rritje e dukshme për grande dhe subvencione për komunitetet.

Ai thotë se Kosova është një shtet i të gjithëve, jo vetëm i shumicës. “E tillë është Kosova. E tillë është qeverisja jonë”, thotë Kurti.

Në vitin 2022, ai thotë se qeveria mbështeti 123 projekte për biznese të vogla dhe start-ups nga radhët e të gjitha komuniteteve. Ndërsa këtë vit, ndau për herë të parë një Fond të veçantë për komunitete jo shumicë, në vlerën prej 3 milionë eurove, me të cilat financoi 259 grante për fermerë, start-ups dhe OJQ me qëllim nxitjes së punësimit te komunitetet.

“Me qëllim të njëjtë, themeluam dhe Grupin ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve. Vitin e kaluar, 104 qytetarë të këtyre tri komuniteteve, përfituan nga trajnimet që ofrohen nga Qendra e Trajnimeve Profesionale – trefish më shumë se një vit më herët. Ndërsa të dhënat e Agjencisë së Punësimit për vitin 2022 tregojnë se është shënuar një rritje prej 31% të numrit të vendeve të punës që kjo agjenci ka gjetur për komunitetet jo shumicë, ndërkaq që numri i vendeve të punës për komunitete jo shumicë, përbën 12.5% të totalit të vendeve të punës të gjetura përmes kësaj agjencie”, deklaron Kurti.

Më tej, komunitetet jo shumicë, sipas tij, përbëjnë 17% të subvencioneve të Ministrisë së Ekonomisë për pajisje efiçiente, në kuadër të masave për efiçencë të energjisë.

“ 9% e praktikantëve me pagesë përmes programit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve “Kosovo Generation Unlimited”, vijnë nga radhët e komuniteteve jo shumicë, përqindje kjo përfaqësuese në raport me tërësinë e popullatës.  Krahas buxhetit të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim për ndërtimin e shtëpive të reja për 19 familje, pakove ushqimore dhe higjienike për 373 familje, orendi për 58 familje dhe materiale ndërtimore për 102 sosh, përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kemi ndarë edhe 2 milionë euro për ndërtimin dhe rinovimin e shtëpive bashkë me 1 milion tjera për projekte infrastrukturore prej të cilave përfitojnë veçanërisht pjesëtarët e komuniteve jo shumicë në komuna të vendit tonë”, deklaron Kurti.

Ndër 15 vite, bazuar në të dhënat vjetore të buxhetit 2008-2022, 10 komunat me shumicë serbe, sipas kryeministrit, kanë pasur 62% më shumë buxhet për kokë banori se 28 komunat tjera të Republikës.

“Sivjet kanë qenë të planifikuara gjithsej 149 projekte kapitale në komunat me shumicë serbe që kapin vlerën e përgjithshme prej 12.3 milionë euro”, thotë Kurti.

Në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve Zyrtare, ai thotë se qeveria ka rritur kapacitetet e Zyrës për Kontrollin dhe Harmonizimin Gjuhësor në gjuhët zyrtare.

“E përtej ligjit, së fundmi kemi filluar edhe transmetimin e drejtpërdrejtë të mbledhjeve të Qeverisë në gjuhën serbe, për informim më të mirë dhe më të drejtë të qytetarëve serbë me vendimet e qeverisë së tyre. Nga shkurti i këtij viti e kemi rifilluar procesin e verifikimit të diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut duke ofruar kështu më shumë mundësi të reja të punësimit bartësve të këtyre diplomave”, shkruan Kurti.


MË SHUME NGA Lajme