Autostrada Bienale do të krijojë punëtori me krijuesin Sisley Xhafa
Ardiana Gashi / RTK
Autostrada Bienale planifikon të krijojë një punëtori me krijuesin Sisley Xhafa me temë “Politika pa maskë -Gënjeshtra si qëndrim`.
Punëtoria do të mbahet me 6 nëntor në Prishtinë dhe Prizren.
Përmes një njoftimi autostrada Bienale bën të ditur se përmes kësaj punëtorie në një botë ku arti dhe bota përplasen, zbulohen mënyrat më intriguese dhe synohet eksplorimi I këtyre dy fushave që duket të jenë të kundërta.
Kjo punëtori është mundësi për pjesëmarrësit që të përcaktojnë përballjen dhe pyetjet rreth marrëdhënieve komplekse midis politikës, dimensionit social dhe artit.
Politika pa maskë-Gënjeshtra si qëndrim' synon të ofrojë një platformë për pjesëmarrësit që të thellojnë temat politike, sociale duke nënvizuar të vërtetën, gënjeshtrën dhe mashtrimet në botën reale.
Pjesëmarrësit do të mësojnë të përdorin artin si mjet për kritikë dhe komentim duke shqyrtuar narracionet sensitive të shoqërisë nëpërmjet instrumenteve artistike të ndryshme thuhet në njoftim.
Autostrada Bienale fton qytetarët që të aplikojnë në punëtori e cila do të jetë falas.
Autostrada si një Ekspozitë Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor zhvillohet çdo dy vjet që nga viti 2017. Autostrada gjatë programeve dy mujore, me procesin e bërjes së veprave artistike të kontekstit të hapur për publikun, dhe me një përmbajtje të fortë dhe një gjuhë vizuale të habitshme, kontribuon në zhvillimin e jetës kulturore, arsimore dhe turizmit kulturor.























