Kurti: Aspiratat tona vazhdojnë të jenë integrimet euroatlantike
V.Th. RTKlive
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në ceremoninë e certifikimit të kursantëve holandez, në ambientet e Qendrës së Kërkim Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Pomozotin, Fushë Kosovë.
Të pranishëm ishin edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, zëvendësambasadori i Holandës në Kosovë, Ronald Goldberg, Komandanti i Gardës Kombëtare të FSK-së, Gjeneral brigade Naim Haziri dhe Drejtori i Qendrës së Kërkim Shpëtimit, John Doone.
“Është kënaqësi te jem në mesin tuaj në përmbyllje të këtij aktiviteti të rëndësishëm. Urime të gjithë pjesëmarrësve dhe stafit që morën pjesë në ofrimin e ndihmës për realizimin e këtij ushtrimi. Ky aktivitet bashkëpunimi që ka ndodhur këtu do të na mundësojë reagimin e shpejtë, dhe njëkohësisht do të ndihmojë në shpëtimin e jetëve”, ka thënë Kurti, raporton RTKlive.
Ai tha se këto aftësi të fituara janë vitale, sikurse për ne, ashtu edhe për partnerët tanë, në rolin që duhet të luajmë në nivel global.
“Që nga viti i kaluar kjo qendër ka ofruar trajnime për mbi 3000 individë, përfshirë qytetarë nga Kosova, Shqipëria, Britania e Madhe, Italia, Hungaria, Turqia, Malta, Maqedonia e Veriut, etj”, ka shtuar ai.
Sipas tij progresi i bërë në këtë qendër është evident, duke theksuar përpjekjen e Ekipit të ofrimit të Ndihmës dhe Shpëtimit, që reaguan dhe ndihmuan në Turqi, pas tërmetit shkatërrues atje.
“Aspiratat tona vazhdojnë të jenë integrimet euroatlantike, pranimi në BE dhe NATO. Kjo qendër është shembulli më i mirë se kush jemi ne dhe cili është qëndrimi dhe drejtimi ynë”, tha kryeministri.
Në këtë ceremoni Kurti e lartësoi punën heroike të anëtarëve të ekipit të Kërkim Shpëtimit të Republikës së Kosovës, sepse ata ishin ndër të parët që iu përgjigjën tërmetit shkatërrues në Turqi në fillim të këtij viti, bashkë me kolegët e tyre nga Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar që ndodhen sot në këtë sallë.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Kryeministri Kurti u shpreh krenar që po i mirëpret partnerët në Qendrën e Kërkim Shpëtimit të FSK-së në Pomozotin dhe tha se pret që të vazhdojmë bashkëpunimin produktiv edhe në të ardhmen.























