Konjufca takon ambasadorin e Çekisë, flasin për intensifikim bashkëpunimi
BKT
Lajme

Konjufca takon ambasadorin e Çekisë, flasin për intensifikim bashkëpunimi

E. Hoti / RTKlive

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri rezident, të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës së Çekisë në Kosovë, Bohumil Mazanek.

Sipas njoftimit për media nga Kuvendi, Konjufca shprehu mirënjohje të veçantë për kontributin e Çekisë në lidhje me liberalizimin e vizave dhe kërkoi vazhdimin e përkrahjes ndaj shtetit tonë në rrugën e integrimeve euroatlantike dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

“Kryetari Konjufca dhe ambasadori Mazanek vlerësuan raportet e mira dypalëshe dhe ritheksuan vullnetin për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Çeke”, thuhet në njoftim.

Kryetari Konjufca uroi ambasadorin Mazanek për detyrën, duke i dëshiruar mirëseardhje dhe suksese në ushtrimin e funksionit gjatë mandatit të tij.

Ndërsa ambasadori Mazanek e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen dhe konfirmoi gatishmërinë e shtetit çek për të thelluar edhe më tej marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit me Kosovën.


MË SHUME NGA Lajme