KE i FFK-së s`sheh sukses te Kombëtarja A, vlerëson ekipet e femrave
Uran Krasniqi/RTKLive
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës nuk ka parë ndonjë sukses te Kombëtarja A. Madje as te zinxhiri i grupmoshave. Ky organizëm ka parë sukes vetëm tek Kombëtarja “A” dhe U17 e femrave.
"Komiteti Ekzekutiv i FFK-së sot mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi. Në këtë mbledhje KE ka miratuar dhe njëkohësisht ka falënderuar stafin e FFK-së, ekspertët nga UEFA dhe FIFA për hartimin e Strategjisë për zhvillimin e futbollit të femrave. Ai me këtë rast konstatoi se kjo strategji ka një ndikim të madh në sfera të ndryshme në zhvillimin e gjithëmbarshëm të futbollit. Po ashtu KE diskutoi edhe për Strategjinë e përgjithshme të zhvillimit të futbollit ku po punojnë me përkushtim të gjithë sektorët e FFK-së dhe pritet shumë shpejt përfundimi i saj. KE analizoi paraqitjet ekipeve kombëtare dhe që nuk mund të thuhet për ndonjë sukses, por që nevojitet një konsolidim i tyre në vazhdim. Përjashtim bëjnë Kombëtarja “A” dhe U17 e femrave të cilat deri tash kanë arritur suksese në garat e tyre", thuhet në një komunikatë të lëshuar të enjten nga FFK-ja.
"KE analizoi dhe shqyrtoi rrjedhën e kampionatit në të gjitha rangjet, duke konstatuar se garat po shkojnë sipas dinamikës dhe vërehet një ngritje në organizim, rritje të cilësisë dhe frymë sportive.
KE diskutoi edhe çështjet e shpalljes së Laureatëve të Vitit 2023 dhe caktoi Komisionin për shpalljen e dhe më të mirëve në përbërje: Ismajl Ajeti, kryetar, Vjollcë Krasniqi, Agim Nura, Xhelal Broja dhe Mirsad Çollaku anëtarë, ndërkaq që data e mbajtjes së ceremonisë do të caktohet më vonë".
KE ka shqyrtuar edhe Kërkesat dhe Parashtresat drejtuar këtij organi.























