INDEP: Kosova është prapa për zbatimin së detyrimeve të Samitit të Sofjes
M.P. / RTKlive
Janë bërë tri vjet nga Samiti i Sofjes, ku Kosova mori përsipër zbatimin e qëndrueshmërisë mjedisore, energjinë e ripërtërishme dhe veprimin për klimën.
Sipas monitorimit dhe hulumtimit të Institutit për Politika Zhvillimore, praktika e zbatimit të këtyre aspekteve është e dobët, transmeton RTKlive.
“Kosova është shumë mirë në korniza ligjore, edhe pse ka mangësitë e saja në secilën shtyllë, por në aspektin praktik të implementimit të atyre ligjeve dhe strategjive mbetemi prapa”, ka thënë Fiona Bakija nga ky institucion për RTK-në.
Blerina Reçica në “Mirëmëngjesi Kosovë” ka thënë se obligimet e Samitit të Sofjes në përgjithësi kanë qenë të përbashkëta, duke përjashtuar ndonjë obligim i cili ka qenë i përshtatur për rrethanat e shtetit të caktuar.
“Shpesh kanë qenë disa faktor politik-ekonomik që e bëjnë të ketë ngecje zbatimi i këtyre pikave. Por në përgjithësi kemi kuadër të lartë, që do të mund t’i zbatonim rekomandimet që i kemi dhënë ne”, ka thënë Reçica.
Samiti i Sofjes ka qenë pjesë e procesit të Berlinit. Përveç Kosovës, 9 vende të shteteve të BE-së dhe disa organizata, kanë qenë pjesë e obligimeve të këtij samiti.























