Kurti nga Vjena për 24 shtatorin: Sulm ndaj idealeve të demokracisë
BKT
Lajme

Kurti nga Vjena për 24 shtatorin: Sulm ndaj idealeve të demokracisë

M.P. / RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori pjesë sonte në ceremoninë hapëse të edicionit jubilar të 20-të të Forumit Ekonomik të Vjenës.  Nga aty i pari i vendit përmendi sulmin e 24 shtatorit, duke thënë se grupet kriminale serbe nuk sulmuan veç Kosovën por idealet e demokracisë.

Sipas komunikatës, Kurti ka deklaruar se ndjehet i nderuar për pjesëmarrje në këtë ngjarje, të bashkuar nga një vizion i përbashkët për prosperitetin e rajonit.

Tutje, kryeministri Kurti tha se në kohë si këto bota është e mbushur me skena konflikti, ky organizim bëhet edhe më i rëndësishëm, sepse ai nënvizon domosdoshmërinë për të qëndruar së bashku, për të folur dhe punuar së bashku.

“Aktet e fundit terroriste në vendin tonë, të cilat mizorisht i morën jetën një oficeri policie të përkushtuar, janë përkujtues të ashpër të sfidave me të cilat përballemi. Këto nuk janë vetëm sulme ndaj Kosovës, por edhe ndaj idealeve tona si bashkëjetesa paqësore, demokracia liberale dhe shteti i së drejtës si thelbi i shtetit tonë të begatë. Si kryeministër i Kosovës, jam i vendosur në detyrën time për të mbrojtur sigurinë e vendit tonë, për të garantuar mirëqenien e çdo qytetari dhe për të krijuar një mjedis ku prosperiteti ekonomik mund të lulëzojë i papenguar nga frika dhe i disponueshëm për të gjithë”, ka thënë Kurti ndër tjerash.

“Takimi ynë këtu nuk është thjesht një traditë vjetore; është një riafirmim i agjendës sonë të përbashkët përballë vështirësive. E ardhmja jonë është e ndërthurur me mirëqenien e çdo vendi të përfaqësuar në këtë sallë, të kontinentit tonë evropian dhe Bashkimit Evropian si fati ynë që ne përqafojmë, me çdo komunitet që premtojmë t'i shërbejmë dhe me frymën kolektive që mishëron ky forum” deklaroi ai sipas komunikatës së ZKM.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Kryeministri Kurti shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e tij për besimin, partneritetin dhe vlerësimin e Forumit Ekonomik të Vjenës.


MË SHUME NGA Lajme