Sveçla dhe Malaj dakordohen për avancimin e politikave në shërbim të rendit
V.Th. RTKlive
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, priti në takim njoftues ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Petrit Malaj.
Fillimisht ministri Sveçla e uroi Malajn për emërimin e tij për postin e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, njofton zyra informim e MPB-së.
Bëhet e ditur se në këtë takim u diskutua për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve, që do të vazhdojnë edhe më tutje, për zbatueshmërinë e marrëveshjeve të nënshkruara mes institucioneve të rendit dhe sigurisë mes dy vendeve e, në veçanti, për thellimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi.
Në fund të takimit, thuhet në njoftim, ministri Sveçla dhe ambasadori Malaj u dakorduan për angazhim të mëtejmë në avancimin e politikave në shërbim të rendit, ligjit dhe qytetarëve të dy vendeve.























