KFOR-i synon të ndihmojë në perspektiven e të rinjve në Kosovë
BKT
Lajme

KFOR-i synon të ndihmojë në perspektiven e të rinjve në Kosovë

F.S / RTKlive

Komanda Rajonale Perëndim KFOR-it ka takuar të mërklurën kryetarët e komunave, drejtorët e kulturës dhe përfaqësuesit e pakicave të Kosovës perëndimore, me të cilët ka diskutuar për dialogun mbi temën e perspektivës së ardhshme të të rinjve në Kosovë .

Përmes një njoftimi për media nga kjo komandë, thuhet se takimi është mbajtur në Kampin Villaggio Italia, duke e cilësuar, si një takim të rëndësishëm mes kryetarëve të komunave, drejtorëve të kulturës dhe përfaqësuesve të pakicave të 15 komunave të Kosovës perëndimore.

“Takimi, i kryesuar nga komandanti i Komandës Rajonale Perëndimore të KFOR-it, kolonel Gabriele Vacca, dhe nga ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu, synon të lehtësojë diskutimin dhe dialogun mbi temën e perspektivës së ardhshme të të rinjve në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet në njoftim se diskutimi u fokusua në dëshirën për të lehtësuar dhe përmirësuar procesin e punësimit dhe rritjes së të rinjve, duke i inkurajuar ata që të realizojnë aspiratat e tyre profesionale në Kosovë dhe duke kontribuar kështu në zhvillimin e të gjithë vendit.

“Të ftuar të shumtë morën pjesë në takim si folës, duke përfshirë ish-drejtorin e Caritas-it venecian, drejtorin ekzekutiv te Asociacionit të komunave, drejtorin rajonal të OSBE-së, prorektoren e Universitetit të Pejës dhe të tjerë, bazuar në formimin e tyre profesional, ata dhanë njohuri të vlefshme për këtë temë” thuhet në njoftim.

KFOR mes tjerash konsideron se e ardhmja e të rinjve është një temë me rëndësi themelore, si garanci e rritjes dhe zhvillimit të Kosovës dhe në këtë drejtim është i nevojshëm zhvillimi i proceseve efektive që favorizojnë futjen e tyre në botën e punës.

“Komanda Rajonale Perëndimore e Forcës së Kosovës (KFOR), në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, kontribuon në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur, si dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, përfundon njoftimi.


MË SHUME NGA Lajme