Gashi: Synohet krijimi i urave të bashkëpunimit me shtete tjera
E. Hoti / RTKlive
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi ka theksuar se Forumi ndërkombëtar “Ulpiana” është forum i cili po organizohet për herë të parë në Kosovë, por në nivelin e tematikës për diasporën, zhvillimin dhe diplomacinë.
Ky forum, sipas saj është i veçantë për faktin që sjellë një tematikë që shumë shtete anekënd botës kanë nevojë të trajtojnë tematikën e diasporës nga disa prizma.
“Po flasim për aspektin e diasporës si talent edhe si eksperiencë, po flasim për diasporën si remitencë sociale, si remitencë financiare dhe kanalizimin e remitencës. Po flasim edhe për ikjen e trurit, afrimin e trurit, për ndërlidhjen e mekanizmit të qarkullimit të trurit”, tha ajo.
Gashi tha se me këtë forum synohet që Kosova të vendoset në hartë të organizimit të forumeve ndërkombëtare vjetore.
“Ne synojmë që të krijojmë sa më shumë ura bashkëpunimi përmes këtij forumi, duke qenë kështu nismëtarë të ofrimit të shteteve për t’i ndarë praktikat më të mira. Si Kosovë synojmë që t’i ndajmë disa prej programeve tona.Por edhe të gjejmë alternativa të ndërlidhemi me shtetet njohëse të Kosovës që të forcojmë partneritetin bilateral me to.Sipas kësaj tematike, por edhe me shtetet jo-njohëse që t’ju ofrojmë mundësi të njohin Kosovën dhe të kuptojnë se këtu ka një hapësirë për bashkëpunim”, tha Gashi.
Ajo bëri të ditur se sot kishin shtatë panele në kuadër të ditës së dytë të punës.























