Vaçe Zela – zëri që ende jeton
Pasuria që ka lënë pas është e larmishme. Zëri i saj i njomë ka bërë histori me këngët “Valsi i lumturisë”, “Moj Arbëri”, “Rritim jetën tonë” e shumë identifikime tjera muzikore. Vaçe Zela padyshim që mbetet një nga emrat eminentë të muzikës serioze shqipe.
Edicioni i kësaj jave i programit “Fjalë e Tinguj” ka trajtuar pikërisht gjithë krijimtarinë e saj. Dirigjenti Zhani Ciko, tha se ajo ka qenë prezente me zërin e saj në shumë periudha të shtetit shqiptar.
“Ajo do të bëhej një artiste e cila ka qenë prezente në të gjitha momentet e Shqipërisë, edhe në periudha të vështira, edhe në periudha kur njerëzit kanë shpresuar për gjëra më të mira”, ka thënë Ciko për RTK-në.
Ndërkaq profesoresha e solokëndimit, Besa Berberi, ka veçuar pasionin të cilën e ka pasur në skenë.
“Fuqia e zërit të saj është më tepër te ndjesia që ajo ka ngjallur te dëgjuesit në skenë. Pasioni që e jep, mënyra se si i shqipton fjalët jep aq shumë pasion saqë për një moment ti harron edhe aftësinë e saj vokale. Porosia e saj ka qenë më e madhe se muzika. Nuk e di nëse ka qenë sistemi i socializmit apo ka qenë vet ajo që ka ndjellur dëshirën e kompozitorëve për të kompozuar për të, por ngjyra e saj ka qenë shumë kolorite”, ka deklaruar Berberi.
Emisionin e plotë me krijimtarinë e Vaçe Zelës e gjeni më poshtë:























