Gërvalla në Dakar, vazhdon takimet me përfaqësues të shumë shteteve
N.M. /RTKlive
Zëvendëskryeministrja, njëherësh, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, vazhdon takimet dypalëshe në margjina të Forumit Ndërkombëtar për Paqe dhe Siguri, në Senegal.
Bëhet e ditur se në ditën e dytë të qëndrimit në Senegal dhe pjesëmarrjen në Forumin Ndërkombëtar për Paqe dhe Siguri, i cili po mbahet në Dakar, Zëvendëskryeministrja Gërvalla, ka vazhduar takimet dypalëshe me përfaqësues nga shtete të ndryshme.
“Ministrja Gërvalla në margjina të këtij Forumi takoi delegacionin e Bregut të Fildishtë, të kryesuar nga Ministri i Deleguar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bregut të Fildishtë, z. Wautabauna OUATTARA, Zëvendës ndihmësadministratorin e USAID-it për Parandalimin dhe Stabilizimin e Konflikteve, z. Neilesh Shelat, dhe pjesëmarrës të tjerë të Forumit”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Thellimi i bashkëpunimit të dyanshëm dhe konkretizimi i tij përmes programeve të veçanta dhe në fusha të interesit të dyanshëm ishin temat kryesore ku u përqendrua biseda në kuadër të takimeve të ndara.
Në këtë njoftim bëhet e ditur se ministrja Gërvalla mori pjesë edhe në konferencën përmbyllëse të Forumit për media, së bashku me Ministrin e Jashtëm të Senegalit, z. Ismaïla Maidor Fall dhe Ministrin e Jashtëm të Kepit të Gjelbër/Cabo Verdes, z. Rui Alberto De Figueiredo Soares, ku ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me kontinentin afrikan në përgjithësi dhe bashkëpunimin me Republikën e Senegalit në veçanti.























