Analistët: NATO e vendosur për ruajtjen e sigurisë në Ballkan
Bardha Shkreli /Radio Kosova
Për shkak të tensioneve të rritura në disa vende të rajonit, përkatësisht retorikës nxitëse në Bosnjë e Hercegovinë dhe situatës së brishtë në veri të Kosovës, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior do të rrisë prezencën e saj në Kosovë përmes trupave të KFOR-it. Ekspertët e sigurisë në vend, theksojnë se NATO është e vendosur t’i përgjigjet çdo lloj kërcënimi eventual.
Lëvizjet ekstreme që po ndodhin në Serbi, imazhet që tregojnë ministrin e mbrojtjes së Bosnjë e Hercegovinës në stërvitje me instruktorë pro-rus, por edhe mundësia e përdorimit të situatës në veri të Kosovës nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq për të rritur përkrahjen e tij në fushatë zgjedhore, shihen si elemente që tregojnë se situata është serioze në rajon. Kështu thekson njohësi i çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi. Ai, për Radio Kosovën shpjegon se prania e trupave shtesë në Kosovë, tregon se NATO është e vendosur t’i përgjigjet çdo lloj kërcënimi.
“Ky shtim i trupave jo vetëm në Kosovë por përgjithësisht prania e shtuar edhe në Bosnjë e Hercegovinë, tregon se NATO është e vendosur që edhe me trupa shtesë por edhe me mbulimin e kufirit sidomos atë Kosovë-Serbi, të tregoj gatishmërinë se situata është serioze dhe se do t’i përgjigjet çdo lloj rreziku apo kërcënimi eventual”, potencon ndër të tjera Ibishi.
Trupat shtesë të KFOR-it në Kosovë shihen edhe nga eksperti tjetër i sigurisë Fadil Kajtazi si masë për të shtuar vigjilencën por edhe për të frenuar veprimet e mundshme të Serbisë në Kosovë.
“Është një masë frenimi i veprimeve të çfarëdoshme të Serbisë në drejtim të Kosovës, pasi që dihet se KFOR-i siguron Kosovën nga ndërhyrjet e jashtme. Ndërkohë që rasti në Banjskë ka qenë një ndërhyrje tipike nga jashtë dhe ka kaluar para hunëve të KFOR-it e që askush nuk ka pasur një informacion paraprak”, thekson Kajtazi.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s, me 28 dhe 29 nëntor diskutuan tensionet në Ballkanin Perëndimor, mes thirrjeve për shtimin e pranisë ushtarake të trupave të NATO-s. Sulmi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit nxiti shqetësimin e vendeve perëndimore se Rusia mund të përpiqet të nxisë konflikt në Ballkan për të shmangur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pas takimit theksoi se është diskutuar se si të ndihmohet Ballkani Perëndimor për një të ardhme euro-atlantike. Ndërkohë Gjermania ka njoftuar se do të kontribuojë me 150 trupa shtesë në Kosovë, vitin e ardhshëm.























