Policia konfirmon aksionin: Katër të arrestuar, një i neutralizuar
BKT
Foto: Arlinda Sejda/RTK
Lajme

Policia konfirmon aksionin: Katër të arrestuar, një i neutralizuar

Arlinda Sejda/RTK

(e plotësuar) Policia e Kosovës ka konfirmuar se sot në kryeqytet në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka vazhduar hetimet intensive, me qëllim të zbardhjes së rastit dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar për grabitjen e armatosur të ndodhur me datën 22.11.2023 në Suharekë, ku kishte mbetur i plagosur një zyrtar policor.

“Si rezultat i hetimeve të pandërprera fillimisht ishin arrestuar tre persona të dyshuar për ndihmë në kryerje të veprës penale të grabitjes, përderisa hetimet drejt identifikimit dhe ndriçimit të rastit kanë vazhduar deri më sot, kur edhe është realizuar operacioni policor. Pas hetimeve intensive dhe mbledhjes së dëshmive, sot në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë është realizuar operacioni policor i cili ka përfshirë kontrollin në shtatë lokacione të ndryshme, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar. Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor. Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar.Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor”, thuhet në komunikatën e përbashkët të policisë dhe prokurorisë.

Tutje bëhet e ditur se zyrtarit policor i është ofruar ndihma mjekësore në SHSKUK, ku sipas informatave të para nga mjekët kompetentë i njëjti është jashtë rrezikut për jetë.

Sipas komunikatës personat e dyshuar kanë të kaluar kriminale me dyshimet e bazuara për përfshirje në vepra penale si: vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje etj.

Një nga grabitësit në Suharekë dyshohet se është vrarë në kryeqytet

Njëri nga personat në kërkim për grabitjen e një argjendarie në Suharekë dyshohet se është vrarë sot në lagjen Arbëria në kryeqytet pas një operacioni të Policisë së Kosovës.

Rruga në lagjen Arbëria ku ka ndodhur rasti është e bllokuar nga të dyja anët.

Deri më tash nuk ka konfirmim të policisë, mirëpo sipas dëshmitarëve i dyshuari ka mbetur i vrarë gjatë tentativës së policisë për ta neutralizuar atë.

Ndërkohë, në vendngjarje shihet trupi i pajetë, teksa në objektin ku ka ndodhur rasti shihet edhe njësia elite e Policisë, FIT.

Operacioni policor, njëri nga grabitësit në Suharekë është vrarë

Policia e Kosovës ka kryer një aksion policor për identifikimin dhe kapjen e njërit prej të dyshuarve për grabitjen e armatosur në argjendarin në Suharekë. Gjatë tentativës për ta neutralizuar, dyshohet se i dyshuari ka mbetur i vrarë.

Njëri nga grabitësit që ka marrë pjesë në vjedhjen e një argjendarie në Suharekë javën e kaluar, dyshohet se është vrarë të gjatë një operacioni policor në Prishtinën. Raportohet se dyshohet edhe për një polic të plagosur. 

Personi që dyshohet se ka mbetur i vrarë është me inicialet D.G.

Policia e Kosovës më herët ka arrestuar dy të dyshuar që lidhen me grabitjen në Suharekë. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit.

Ndryshe, më 22 nëntor ka ndodhur një plaçkitje e armatosur në një argjendari në qytetin e Suharekës. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic i Kosovës në këmbë.


MË SHUME NGA Lajme